Jetëgjatësia në Europë vazhdon të rritet, mirëpo obeziteti dhe rritja e numrit të personave që vuajnë nga mbipesha rrezikon përmbysjen e këtij trendi, ka paralajmëruar Organizata Botërore e Shëndetësisë.

Në raportin e fundit të OBSH-së, që mbulon 53 shtete nga Atlantiku në Paqësor, agjencia e Kombeve të Bashkuara ka gjetur se mirëqenia ka shënuar kulmin në botë, mirëpo ka dallime të theksuara brenda rajoneve.

Mesatarja e jetëgjatësisë është rritur nga 76.7 vite në vitin 2010, në 77.8 në vitin 2015. Gratë vazhdojnë të jetojnë më gjatë, përkatësisht 81.1 vite, në krahasim me 74.6 vite për burrat. Mirëpo shifrat kanë dallime të mëdha mes shteteve.

Për shembull, burrat jetojnë më gjatë në Islandë sesa në Kazakistan.

“Përparimi nuk është i njëjtë, qoftë brenda apo mes shteteve, gjinive dhe gjeneratave”, ka thënë drejtuesja e OBSH-së për Europën, Zsuzsanna Jakab.

Vdekjet e parakohshme nga kanceri, diabeti, sëmundjet respiratore dhe ato kardiovaskulare janë duke rënë, ndërsa është thënë se ky rajon pritet të arrijë objektivin e 1.5 për qind të zvogëlimit të rasteve të prekura me këto sëmundje deri në vitin 2020.

Pavarësisht shifrave në rënie të vdekjeve, si pasojë e këtyre sëmundjeve, në vendet e Bashkimit Europian është parë një rritje prej 5 për qind e personave që janë diagnostikuar me kancer. Në raportin e OBSH-së, i cili publikohet çdo 3 vite, është shtuar një tjetër faktor subjektiv: lumturia në jetë.

Të pyetur sesa janë të kënaqur njerëzit me jetën e tyre këto ditë, për një vlerësim nga 1 deri në 10, mesatarja në Europë ka rezultuar me 5.9.

Top Channel

DIGITALB DIGITALB - OFERTA