Ligjet e reja kontroverse për të drejtat e autorit janë miratuar nga deputetët e Parlamentit Europian, sigurisht me ndryshime që prej versionit të parë të muajit korrik, kur direktiva u refuzua po me votë. Megjithatë, kritikët thonë se ato mbeten ende problematike.
Shumë këngëtarë dhe autorë pretendojnë se reformat janë të nevojshme për të kompensuar në mënyrë më të drejtë artistët. Por, kundërshtarët i frikësohen faktit se planet mund të dëmtojnë përmbajtjet e përdoruesve të zakonshëm, si memet (imitimet) apo paroditë.
Tashmë është në duart e udhëheqësve të vendeve anëtare të Bashkimit Europian për të miratuar ndryshimin e rregullave, përpara se vendet veçmas të mund të hartojnë projektligjet lokale për t’i kthyer më pas në ligje fuqiplotë.
Miratimi në Strasburg erdhi pasi 438 eurodeputetë votuan pro, 226 kundër dhe 39 të tjerë abstenuan. Ata votuan mbi një seri ndryshimesh të direktivës fillestare, pjesët më të debatueshme të së cilës njihen si “Neni 13” dhe “Neni 11”.
Ai i pari ngarkon gjigantët e internetit të marrin masa për të garantuar se marrëveshjet me të drejtëmbajtësit e një materiali për përdorimin e punës së tyre funksionojnë.
Lexo edhe:
“Vdekja e internetit” apo “Fundi i memeve”
Kritikët thonë se kjo nënkupton se të gjitha platformave në internet do t’u kërkohet të filtrojnë përmbajtjet e hedhura “online” nga përdorues të zakonshëm, gjë për të cilën besojnë se është një kufizim i tepër i fjalës së lirë.
“Neni 11” është gjithashtu kontrovers, sepse detyron platformat “online” të paguajnë organizatat mediatike përpara se të lidhin përmbajtjet e tyre me ngjarjet informative, diçka që kritikët e quajnë si “taksë lidhjeje”.
Më herët gjatë javës, edhe Youtube u përfshi në këtë debat të ashpër. Përfaqësuesi Robert Kyncl tha se një nga elementët më kontroversë të ligjit, “neni 13”, rrezikon “të shkurajojë apo edhe të pengojë platformat nga pranimi i përmbajtjeve të gjeneruara nga përdorues të ndryshëm”.
Këngëtari Wyclef Jean ishte një prej zërave kundërshtarë, i cili u bëri apel europarlamentarëve “të përqafojnë dhe përmirësojnë internetin, e jo të përpiqen ta bllokojnë apo vështirësojnë atë”. Shumë muzikantë të tjerë, përfshi Sir Paul McCartney kanë shprehur mbështetjen e tyre për ndryshimet.
Top Channel