“Fiks Fare” i rikthehet temës së sigurisë ushqimore. Qumështi që shitet nga fshatarët 100 lekë për 1.5 litër, i pakontrolluar, me bidonë plastikë të ripërdorur, ka ngarkesë mikrobike deri në 290 herë më e lartë sesa norma e lejuar.
Përgjegjësia është e institucioneve që e lejojnë tregtimin dhe qytetarëve që vazhdojnë ta blejnë. Edhe specialistët konfirmojnë që është i pasigurtë për t’u përdorur. I rrezikshëm për konsumatorin, pasi mund të mbartë edhe sëmundje si bruceloza dhe turbekulozi. Sipas tyre, është e vërtetë që ka raste që i hidhet edhe urina e kafshës për ta shtuar në sasi, pasi densiteti i saj është i njëjtë me atë të qumështit dhe nuk kuptohet kur i kryen analizat.
Për vite me radhë, “Fiks Fare” ka sjellë në vëmendje të publikut rrezikun që vjen nga konsumimi i qumështit të pakontrolluar. Institucionet përgjegjëse nuk kanë bërë thuajse asgjë për ndalimin e tregtimit të tij. Në të gjitha tregjet e Tiranës, informale ose jo, qumështi shitet nga fshatarët me bidona plastikë jashtë çdo kushti higjeno-sanitar. Por, vazhdimi i tregtimit të tij nuk është përgjegjësi vetëm e institucioneve, AKU-së, por edhe e konsumatorëve që, pavarësisht se e dinë që ky qumësht është i pakontrolluar, vazhdojnë ta blejnë atë.
Jo më larg se dy vjet më parë, Fiks Fare solli me zë dhe figurë se si përdoreshin bidonat plastikë të mbledhura në plehra për të shitur qumësht. Madje, ky ishte kthyer në një biznes fitimprurës për ata që i mblidhnin në kazanë, pasi i shisnin tek tregtarët me 5 lekë bidonin. Por, as ky fakt nuk mjaftoi për të ndërgjegjësuar konsumatorët apo institucionet për ta zhdukur këtë fenomen.
Edhe sot pas dy vjetësh, ky qumësht shitet sërish në çdo cep të Tiranës, i ambalazhuar në shishe plastike të ripërdorura. Gazetarët e Fiksit blenë disa bidonë me qumësht në tregtarë të ndryshëm. Të gjithë e shisnin qumështin në kushte të papërshtatshme higjeno-sanitare dhe me bidona të ripërdorur disa herë. Madje, njëri prej shitësve e pranon që nuk mungojnë rastet që i shtohet urina e kafshës qumështit, kjo për shtim të rezistencës së tij.
“E vërtetë, i hedhin urinë që mos të prishet dhe kur e çojnë në baxho, me urinë i ngrihet gradacioni. Ndaj e bëjnë”, i pohon shitësi gazetares së Fiksit. Këto bidona që ata i shisnin për qumësht të freskët dhe pa “hile” u dërguan për analiza pranë ISUV.
Në legjislacionin shqiptar, norma e lejuar e ngarkesës mikrobike është 100 mijë. Pas analizimit të produktit qumësht, 80% e tij rezultoi jashtë normës së lejuar. Madje, shkonte deri 290 herë më e lartë. Fiksi u konsultua me specialisten lidhur me përgjigjet e këtyre analizave. Sipas Prof. Bizena Bijo, që jep lëndën e kontrollit të produkteve me origjinë shtazore në Universitetin e Mjekësisë Veterinare, ky qumësht nuk është i rekomanduar që të tregtohet, pasi pavarësisht temperaturës së vlimit, bakteret rezistente janë një rrezik i madh për sëmundje të shkaktuara nga konsumimi i tij. Bruceloza dhe turbekulozi janë dy sëmundje që transmetohen nga kafsha tek njeriu, nëpërmjet konsumimit të qumështit.
Ajo thekson faktin që këto toksina, nuk shkatërrohen edhe pas vlimit të qumështit në temperatura shumë të larta. Pasi konsumatorët nuk e dinë që duhet zier ndoshta edhe 30 minuta dhe sërish frika ekziston. Ndaj, është e rekomanduar që të mos përdoret qumësht me norma më të larta se 100 mijë. Siç e parashikon edhe legjislacioni.
Specialistja e pranon faktin që fshatarët i hedhin urinën e kafshës qumështit, pasi densiteti i saj me atë të qumështit është i njëjtë. Në rastet kur kryhet analiza e densitetit, rezulton brenda normës. Shtimi i qumështit me urinë është gjithashtu i rrezikshëm për konsumatorin pasi ajo përmban në të sëmundje që mund të transmetohen nga konsumimi i qumështit tek njeriu. Më të rrezikuarit janë fëmijët, të sëmurët, sidomos atyre që i rekomandohet që të pinë qumësht dhe mosha e tretë.
Bisedë me disa nga tregtarët e qumështit të “freskët”
Fiksi-Me sa e ke bidonin?
Shitësi-1 mijë lekë.
Fiksi-Të mos kem merak unë, se kam kalamaj.
Shitësi-Më vjen keq, ne e kemi me klientelë.
Fiksi-Më jep një ti, edhe të marr edhe një atje, të provoj kush më pëlqen. Një bidon njëherë. E di ça kam merak? Bidonat, nga i merrni?
Shitësi-Ne bidonat faktikisht, e do troç? Ne i kemi me klientelë. I jap unë bidonin, më jep bidonin. I kanë me shenjat e veta.
Fiksi-Nuk e përzien me gjë? Thonë që i hedhin edhe urinë lope.
Shitësi-Dëgjo mua tashti. Atë e hedhin…
Fiksi-Që mos të prishet?
Shitësi- Që mos të prishet. E çon në baxho ai ( qumështin) për djathë, ai i vë gradë. Ngre gradacionin.
Fiksi-Urina e lopës e?
Shitësi-Po. Po ti mos e vrit mendjen për mua. Do më kërkosh ti mua, jo unë ty.
Fiksi-Po ai aty? Ma jep dhe ti një bidon. Do t’i provoj, kush më pëlqen do vij të marr.
Fiksi-Një herë në dy ditë vini ju?
Shitësi-Po një ditë po, një ditë jo.
Fiksi-Me sa e ke bidonin e qumështit?
Shitësja-Një mijë lekë zemra. Qumështin e ke special, në radhë të parë i pastër, i kulluar.
Fiksi-Po këto bidonat nga i merrni se te qesja po shoh që qenkan…
Shitësja-Po qesja është vënë në tokë me zemër. Merre pa merak. Hajde më thuaj nesër a pasnesër.
Fiksi-Me sa e ke?
Shitësi-Me një mijë lekë.
Fiksi-Çdo ditë vjen këtu? Që të sjell bidonat e mi se kam shumë siklet.
Shitësi-Ma sill me shenjë.
Fiksi-Mirë, mirë, faleminderit.
Fiksi-Më jep dy bidona.
Shitësi-Merre, vëri shenjën edhe bjeri bidonat. Pasnesër. Një ditë po, një ditë jo.
Fiksi-Vetëm këtë bidonin ke?
Shitësi-Po.
Fiksi-Si kalove? Me sa e ke? E di ça kam merak, ti çdo ditë këtu del apo… si e ke?
Shitësi-Merre me shpirt, i çoj te shpija dhe marr ( bidona) të tjerë. Te shpija, se çoj qumësht te shpija.
Fiksi-E kuptoj.
Fiksi-O nëna me sa e ke bidonin?
Shitësja-Me një mijë lekë.
Fiksi-Ma jep një.
Shitësja-Pa merak fare, unë jam me myshteri ( klientelë). Ja shife bidonat që i kam.
Fiksi-Nga i merr këto bidonat që po marr unë tashti?
Shitësja-Mos ke merak. A kupton, ja shife si i kam bidonat. Bidona uji.
Top Channel