Kina nuk do të qëndrojë këmbëkryq, por do të kundërpërgjigjet nëse Shtetet e Bashkuara të Amerikës do të vendosin tarifa të tjera tregtare. Kështu ka reaguar Ministria e Jashtme kineze gjatë kësaj të hëne, pasi presidenti Donald Trump paralajmëroi se është gati të nënshkruajë tarifat e reja që do të mbulonin virtualisht të gjitha importet kineze në SHBA.

Të premten, Trump tha se ishte gati të vendoste tarifa shtesë praktikisht ndaj të gjitha importeve kineze, duke kërcënuar me tarifa doganore ndaj produkteve me vlerë 267 miliardë dollarë, shumë më tepër nga 200 miliardët e planifikuar fillimisht.

“Nëse pala amerikane kapet me kokëfortësi pas kursit të saj dhe ndërmerr masa të reja tarifore kundër Kinës, atëherë ne do të ndërmarrim në mënyrë të paevitueshme kundërmasa për të mbrojtur me vendosmëri të drejtat tona legjitime”, tha zëdhënësi i Ministrisë së Jashtme, Geng Shuang, i pyetur mbi paralajmërimin e Trumpit. Megjithatë, ai nuk dha detaje të këtyre kundërmasave.

Shtetet e Bashkuara dhe Kina kanë vendosur tarifa shtesë mbi produktet me vlerë 50 mld dollarë të importit të secilës palë në muajin korrik, teksa lufta tregtare mes dy vendeve me ekonomitë më të fuqishme të botës sa vjen e përkeqësohet, pavarësisht një vargu raundesh negociatash.

Trump ka kritikuar suficitin rekord tregtar të Kinës kundrejt Shteteve të Bashkuara, ndaj ka kërkuar nga Pekini që ta zvogëlojë atë. Tensione ka shkaktuar edhe kufizimi i qasjes së firmave amerikane në tregjet kineze, mbrojtja e pronës intelektuale, transfertave të teknologjisë dhe investimet.

Në gusht, Kina zbuloi një listë të propozuar tarifash hakmarrëse ndaj mallrave amerikane me vlerë 60 mld dollarë, duke variuar nga gazi natyror i lëngshëm e deri te disa tipe avionësh, nëse Uashingtoni do të aktivizonte tarifat 200 mld dollarëshe, që tani duket se do të bëhet 267 mld dollarë.

Top Channel