Sulmi kimik në Britani, shefi i GCHQ-së: Kërcënimi rus është real dhe aktiv

07/09/2018 17:30

Kërcënimi rus ndaj komunitetit ndërkombëtar është real dhe aktiv, të paktën kështu ka paralajmëruar kreu i Agjencisë britanike të Inteligjencës “GCHQ”.

Komentet e Jeremy Fleming vijnë pasi Shtetet e Bashkuara, Franca, Gjermania dhe Kanadaja mbështetën pretendimet e Britanisë së Madhe, sipas së cilës Rusia qëndron pas sulmit me agjentin nervor “Novichok” në Salisbury, gjatë muajit mars.

Në një fjalim të mbajtur në Uashington, Fleming tha se dëshira e Rusisë për të minuar ligjin ndërkombëtar është “e pacipë”. Megjithatë, në një takim të Këshillit të Sigurimit të Kombeve të Bashkuara për të diskutuar mbi sulmin në fjalë, Rusia refuzoi provat e prezantuara nga Britania, duke i quajtur madje si “gënjeshtra”.

Fleming, drejtor i Agjencisë qeveritare të Kundërzbulimit Kibernetik, tha se “GCHQ”-ja ka mbështetur policinë në hetimin “tepër të kujdesshëm” dhe “tejet kompleks” mbi atë çfarë ndodhi, pas helmimit të ish-agjentit të dyfishtë rus, Sergei Skripal, dhe vajzës së tij Yulia, më 4 mars në Salisbury.

Mbretëria e Bashkuar i ka identifikuar dhe demaskuar dy shtetasit rusë, Alexander Petrov dhe Ruslan Boshirov, të cilët besohet se janë agjentë të shërbimit informativ ushtarak rus “GRU”, si të dyshuarit kryesorë që fshihen pas atij sulmi.

Kremlini i ka quajtur akuzat “të papranueshme”. Megjithatë, Fleming këmbënguli se “kërcënimi nga Rusia është real dhe aktiv”.

“Ai do të kundërshtohet nga një partneritet tejet i fuqishëm ndërkombëtar mes aleatëve. Ne jemi në gjendje të vendosim në dispozicion gamën më të plotë të mjeteve nga i gjithë aparati ynë i sigurisë kombëtare”.

Duke folur për një program radiofonik të “BBC”-së, ambasadorja britanike në OKB, Karen Pierce tha se ishte “vërtet e zhgënjyer” që Rusia ka refuzuar të angazhohet apo të pranojë seriozitetin e situatës. Sipas saj, Rusia “shpesh ka vetëm agjendë negative” sa u përket marrëdhënieve ndërkomëbtare.

Në një deklaratë të nënshkruar nga Emmanuel Macron, Angela Merkel, Donald Trump, Justin Trudeau dhe Theresa May, të publikuar të enjten, thuhej se “Ne, udhëheqësit e Francës, Gjermanisë, Shteteve të Bashkuara, Kanadasë dhe Britanisë së Madhe, ritheksojmë indinjatën tonë mbi përdorimin e një agjenti kimik nervor, i njohur si ‘Novichok’, më 4 mars në Salisbury”.

Top Channel

DIGITALB DIGITALB - OFERTA