SHBA, rritja vjetore e pagave kap kulmin në 9 vite

07/09/2018 18:00

Rritja vjetore e pagave ka kapur nivelin më të lartë të 9 viteve të fundit gjatë muajit të kaluar në Shtetet e Bashkuara, teksa ekonomia e vendit krijoi më shumë vende të reja pune nga sa pritej.

Të ardhurat mesatare për orë u rritën me 0.4 për qind gjatë muajit gusht, duke e ngritur normën vjetore të rritjes në 2.9 për qind, më e larta që prej qershorit të vitit 2009.

Punësimi në sektorin e ndërtimit dhe shërbimeve profesionale ka ndihmuar ekonominë të shtojë 201 mijë vende të reja pune gjatë muajit të mëparshëm.

Rritja e fuqishme e pagave pritet të përforcojë pritshmëritë për një tjetër rritje të normave të interesit në SHBA, në fund të këtij muaji. Rezerva Federale, e cila e ka rritur dy herë normën gjatë 2018-s, pritet të mblidhjet më 25-26 shtator.

Dollari amerikan iu kundërpërgjigj menjëherë statistikave të fundit duke pësuar një rritje. Indeksi i dollarit, matësi i vlerës së valutës së gjelbër përkundrejt një grupi monedhash kryesore të tjera, është rritur në nivelin më të lartë në dy ditët e fundit.

Shifra e vendeve të reja të punës gjatë gushtit ishte më e lartë sesa norma e rishikuar me rënie e muajit korrik, për një total prej 147 mijë vendesh. Rishikimi i shifrave të qershorit dhe korrikut nënkupton se, në SHBA janë krijuar 50 mijë vende pune më pak nga sa ishte përllogaritur fillimisht.

Ndërkohë, norma e papunësisë ka mbetur e pandryshuar, në nivelin e 3.9 përqindëshit. Shifrat e publikuara nga Departamenti i Punësimit treguan se firmat e ndërtimit kanë punësuar 23 mijë punëtorë më shumë muajin e kaluar, ndërsa industritë e shërbimeve profesionale dhe ato të biznesit kanë krijuar 53 mijë vende më shumë. Gjithsesi, sektori i prodhimit është tkurrur me 3.000 vende pune, rënia e parë kjo që prej korrikut të vitit të kaluar.

Top Channel