Samit në Teheran për Idlibin, SHBA: Ka prova se po përgatiten armët kimike

07/09/2018 15:02

Shtetet e Bashkuara kanë njoftuar se ekzistojnë prova domethënëse që forcat qeveritare siriane po përgatitin armët kimike për një sulm në Idlib, teksa Rusia, Irani dhe Turqia takohen në Teheran për të vendosur fatet e rajonit.

Presidenti turk, Recep Tayyip Erdogan po përpiqet të ushtrojë presion ndaj Rusisë, që të urdhërojë regjimin sirian të tërhiqet nga sulmi mbi enklavën e fundit të rebelëve opozitarë, duke thënë se ajo mund të çojë në gjakderdhje dhe një fluks edhe më masiv refugjatësh në Turqi, e ndoshta edhe në vendet e tjera të Europës.

Erdogan, i cili propozon një plan, përmes të cilit grupeve rebele t’u ofrohet mundësia të largohen nga Idlibi, është aktualisht duke u takuar me Vladimir Putinin dhe Hassan Rouhanin në kryeqytetin iranian.

Edhe pse 3 udhëheqësit janë duke diskutuar edhe planet e rindërtimit, rikthimit të refugjatëve dhe fatin e kurdëve në Siri, fokusi është te vendosmëria e Rusisë për të mbikëqyrur marrjen e Idlibit me forcë.

“Prania e paligjshme dhe ndërhyrja e Amerikës në Siri, që ka çuar në vazhdimin e pasigurisë në vend, duhet të marrë fund urgjentisht”, tha Rouhani në fillim të takimit.

I dërguari special i Kombeve të Bashkuara në Siri, Staffan de Mistura i ka bërë gjithashtu thirrje Rusisë të vetëpërmbahet dhe të rikthehet në tryezën e bisedimeve në Gjenevë, të cilën e ka përgatitur për javën e ardhshme me çështje kryesore Kushtetutën e ardhshme të Sirisë.

Paralajmërimi për provat e një sulmi të pashmangshëm me armë kimike është bërë nga i dërguari amerikan në Siri, Jim Jeffrey. Shtetet e Bashkuara e kanë thënë vazhdimisht se nuk do të tolerojë asnjë sulm kimik, por nuk ka dhënë detaje sesi do të kundërpërgjigjet në rast se kjo ndodh.

“Jam tejet i bindur dhe kemi të gjitha provat e nevojshme për të bërë këtë paralajmërim. Çdo sulm i mundshëm është për ne i papranueshëm dhe shenjë e përshkallëzimit të pamatur. Ka shumë prova se armët kimike po bëhen gati për sulm”, tha Jeffrey.

Presidenti sirian, Bashar al-Assad ka grumbulluar ushtrinë e tij dhe forcat aleate në vijat e frontit në veriperëndim, ndërsa avionët rusë u janë bashkuar bombardimeve të ndërmarra nga forcat qeveritare ndaj rebelëve në Idlib, si pikënisje e një ofensive më madhore.

“Mendoj se kapitulli i fundit i historisë së Idlibit nuk është shkruar ende. Turqit po përpiqen të gjejnë një rrugëzgjidhje. Ata kanë treguar po ashtu një rezistencë të madhe ndaj një sulmi të mundshëm”, tha më tej Jeffrey.

Ai njoftoi gjithashtu se Shtetet e Bashkuara i kanë kërkuar disa herë Rusisë nëse Uashingtoni mund të “operojë” në Idlib për të eliminuar bastionet e fundit të grupeve xhihadiste. I pyetur nëse kjo mund të përfshijë edhe sulme ajrore amerikane, Jeffrey tha se “edhe kjo është një mundësi”.

Top Channel