Zhytësit në Izrael janë duke pastruar shtratin e detit, në zonën ku po ndërtohet një gazsjellës gjigant nënujor.
Arsyeja e një angazhimi të tillë madhor është ruajtja e relikeve. Tubacioni kalon pranë gërmadhave të një porti 5.000-vjeçar, dikur qendër e rëndësishme tregtare për qytetërimet e lashta të Mesdheut, e ku sot, nëse gërmon pak gjen plot antikuare, duke nisur nga ato fenikase e deri tek ato romake.
Pikërisht për të minimizuar dëmet tek objektet e vyera të së shkuarës, autoritetet izraelite kanë një vit që bashkëpunojnë me “Noble Energy”, kompaninë përgjegjëse për ndërtimin e gazsjellësit.
Ekipet e zhytësve të angazhuar për këtë qëllim kanë shpenzuar javë të tëra në ujërat e kristalta të portit të lashtë të Dorit, duke nxjerrë prej fundit të detit enë balte, ankora, e madje edhe pjesë anijesh të vjetra.
“Ka pasur një bashkëpunim të paprecedentë për të mbrojtur antikuaret dhe asetet kulturore”, tha për “Reuters”-in, Yaakov Sharvit, drejtor i njësisë së Arkeologjisë Detare izraelite. Sipërmarrja shihet me mjaft vlera edhe për faktin se mund t’u hapë rrugën projekteve të tjera të ngjashme në të ardhmen.
Top Channel