Brazil, sulmohet me thikë kandidati për president

07/09/2018 09:23

Vetëm një muaj përpara zgjedhjeve presidenciale në Brazil, kandidati i ekstremit të djathtë, Jair Bolsonaro, i cili rezulton i pari në sondazhe, është plagosur rëndë me thikë në bark.

Bolsonaro u qëllua egërsisht gjatë një tubimi elektoral. “Ai ishte gati i vdekur kur mbërriti në spital”, ka rrëfyer i biri Flavio, kandidat edhe ai vet për Senatin brazilian.

Edhe mjekët e konfirmuan seriozitetin e situatës së 63-vjeçarit, për të cilin thonë se është jashtë rrezikut për jetën, por duhet të qëndrojë në njësinë e terapisë intensive.

Bolsonaro po përshëndeste turmën me dorë, kur papritur kapi barkun dhe bërtiti nga dhimbja. Policia e prangosi shumë shpejt autorin, Adélio Bispo de Oliveira, i cili ishte rrahur ndërkohë paq nga mbështetësit e kandidatit djathtist.

Autoritetet e sigurisë thonë se sulme të tilla ndaj kandidatëve janë të rralla në Brazil, por e vërteta është që dhuna politike në vend ka ardhur duke u shtuar. Në mars, Marielle Franco, anëtare e Këshillit Bashkiak të Rio de Janeiros, u vra bashkë me shoferin e saj dhe krimi ende nuk është zbardhur.

Në të njëjtin muaj, dy autobusë fushate të ish-presidentit Inacio Lula da Silva u qëlluan me automatik, e as në këtë rast nuk u gjet fajtori.

Top Channel