Baton Haxhiu, një njohës shumë i mirë i çështjes së Kosovës, si dhe një ndër përkrahësit e idesë së Thaçit për korrigjim të kufijve me Serbinë, ishte i ftuar ditën e sotme në “Top Talk” të drejtuar nga gazetari Denis Dyrnjaja.
Baton Haxhiu është shprehur se Bashkimi Europian ka përdorur dy standarde sa i përket Serbisë dhe anës tjetër, Kosovës, Shqipërisë, por edhe Maqedonisë, thotë Haxhiu.
“Ka pas një marrëveshje mes dy palëve me ndërmjetësimin e BE, por më pas kanë ndodhur gjëra të pakujtueshme. Serbia ka hequr nenin për ndjekjen e kriminelëve për krimet e luftës, në të njëjtën kohë, Serbisë i është hapur kapitulli, ndërsa Kosovës nuk i janë liberalizuar vizat. Serbia nuk i heq sanksionet ndaj Rusisë, blen armë nga ajo. Kurse Shqipërisë dhe Maqedonisë nuk i hapen negociatat. Serbia është shërbyer nga BE, edhe pse ka bërë disa shkelje”, tha Baton Haxhiu.
Më tej, ai u shpreh përballë gazetarit Denis Dyrnjaja se interesi i Serbisë për korrigjim të kufijve nuk është veriu i Kosovës, por vendosja e një precedenti për të shfrytëzuar më pas atë për Bosnjën.
Top Channel