Duke filluar nga data 15 shtator 2018, çdo të shtunë, për 10 muaj me radhë, në orën 18:20, në ekranin e Top Channel do të transmetohet emisioni “Hipokrati”.

Ky emision, më i riu në tregun televiziv shqiptar, me karakter tërësisht shëndetësor, është prezantuar që në fillim të muajit gusht si një nga projektet më të rinj të Top Channel, realizuar në bashkepunim me “Inov Production”.

Nga pyetjet më klasike mbi përkujdesjen për veten tonë, deri tek evolucioni i mjekësisë, gjithmonë në një hap me zhvillimet më të fundit të shkencës, me qëllimin për t`i transmetuar ato dhe për të qenë sa më të dobishëm për publikun e gjerë, të shëndoshë dhe të sëmurë, fëmijë dhe të rritur, do të trajtohen në emisionin “Hipokrati”.

Shikuesit gjithashtu do të informohen sa kushton trajtimi shëndetësor në Shqipëri. “Hipokrati” do të trajtojë në emisionet e veta problematikat që mbart sistemi ynë shëndetësor, me të cilat njerëzit përballen çdo ditë, duke ndikuar modestisht në përmirësimin e tij.

“Hipokrati” do të kontribuojë nëpërmjet tematikave që do të trajtojë, në ndërgjegjësimin e publikut për një kulturë shëndetësore me filozofinë që sa më shumë të kujdesesh për veten në jetën e përditshme, aq më larg i rri sëmundjeve.

“Hipokrati” pasuron më tej panoramën e programacionit të Top Channel, duke qëndruar gjithmonë disa hapa përpara të tjerëve, e gjithmonë në perputhje me nevojat e publikut, sidomos për çështje të ndjeshme siç është shëndeti.

Sot, në shpërthimin e teknologjisë dhe informacionit, ku të gjithë mund të biem pre e informacioneve të gabuara apo të keqinterpretuara, por që të gjithë duam të dimë sa më shume e të jemi të zotët e vetes, Top Channel, nëpërmjet “Hipokratit” ju vjen në krahë për t’ju ndihmuar të bëheni sado pak “mjeku i vetes suaj”.

Emisioni “Hipokrati” do të drejtohet nga Oriela Cano Kosho dhe në të do të ftohen mjekë specialistë sipas temave që do të trajtohen.

Top Channel

DIGITALB DIGITALB - OFERTA