Mesditën e së shtunës Arjan Ferracaku është gjetur i vrarë në periferi të qytetit të Shkodrës. Nga të dhënat e para mësohet se 30-vjeçari është qëlluar me pistoletë.
Ai u gjet i pajetë pranë një makine të djegur. Por të dhënat e para janë kontradiktore, sepse policia e pyetur për rastin thotë se makina e djegur nuk ka lidhje me ngjarjen.
Nga të dhënat e para thuhet se viktima po bënte xhiro me kalë në momentin kur është qëlluar me armë zjarri. Ferracaku ka qenë i shoqëruar nga dy persona të tjerë, të cilët ndodhen në komisariatin e Shkodrës dhe dëshmia e tyre mund të hedhë më shumë dritë mbi atë se çfarë ka ndodhur.
Arjan Ferracaku është pronar i dy bizneseve në Velipojë, ndërkohë babai i tij është pronar i një firme plastike dhe duralumini në Shkodër. Vetë viktima Ferracaku është babai i dy fëmijëve të mitur. Ai zotëronte pronësinë e hotel “Fantazia“ në Velipojë, që në zone përdoret edhe si orientim. 30-vjeçari posedon edhe një restorant në Zus, sapo kalon urën e re të Bunës.
Gjithsesi, Policia ende nuk ka asnjë të dhënë për konflikte të mëparshme të viktimës, apo familjarëve të tij. Policia nuk ka një pistë fikse për këtë ngjarje, ndërsa është duke hetuar në disa prej tyre, që nga hasmëria, konkurrenca e pandershme, apo të tjera.
Top Channel