Në një takim privat me pastorë të krishterë, Donald Trump ka paralajmëruar për “dhunë”, nëse republikanët nuk ruajnë kontrollin e Kongresit në zgjedhjet e mesmandatit, sipas një audioregjistrimi të takimit të siguruar nga “New York Times”.
Në mbrëmjen shtetërore për pastorët e krishterë ungjillorë të së hënës në Shtëpinë e Bardhë, Trump u bëri thirrje udhëheqësve fetarë të përdornin fuqitë e tyre si klerikë për të garantuar se “të gjithë njerëzit e tyre të votojnë” në nëntor, raporton “NYT”.
“Jeni vetëm një palë zgjedhje larg humbjes së gjithçka që keni”, citohet t’u ketë thënë Trump atyre.
Nëse republikanët humbasin kontrollin në Kongres, “ata do të humbasin thuajse gjithçka menjëherë”, ka thënë presidenti, duke iu referuar më pas demokratëve në Kongres.
“Ata do të përmbysin gjithçka kemi bërë dhe do ta bëjnë me shpejtësi dhe në mënyrë të dhunshme. Po në mënyrë të dhunshme. Do të ketë dhunë. Nëse hidhni sytë nga Antifa (lëvizje antifashiste), mund të vëreni se në këto grupe ka edhe njerëz të dhunshëm”, ka vijuar Trump.
“NYT” raporton se kjo deklaratë shtesë nuk e bën të qartë se “për cilët ka folur Trump”.
Një zëdhënës i Shtëpisë së Bardhë nuk iu përgjigj kërkesës për të sqaruar nëse presidenti po iu referohej demokratëve në Kongres si “njerëz të dhunshëm”, apo të komentonte se çfarë lidhjeje pretendonte presidenti mes establishmentit të ligjvënësve demokratë dhe protestuesve të rinj antifashistë.
Komentet e presidentit amerikan duket se i bëjnë jehonë retorikës së publiciteteve politike nga Shoqata Kombëtare e Armëve, “NRA”, e krahut të djathtë.
Në një video publicitare tejet të kritikuar të vitit të kaluar, grupi që mbron të drejtat për armatosje përdori pamje nga protestat në rrugë për të pikturuar të gjithë të majtën amerikane, e gjithashtu të gjithë amerikanët që kundërshtojnë presidentin Trump, si militantë të dhunshëm që “terrorizojnë zbatuesit e ligjit”.
Retorika nxitëse e publicitetit u kritikua ashpër, me njërin prej kritikëve që e quajti atë “një përshpërimë e turpshme thirrjeje për luftë civile”.
Top Channel