Dy peshkarexha franceze e britanike janë përplasur me njëra-tjetrën, duke hedhur ofendime, raketa dhe tymuese në një përplasje të pazakontë dhe të turpshme në ujërat e kanalit anglez, apo ngushticës së La Manshit, siç njihet ndryshe.
Përplasja ka ndodhur rreth 12 milje detare (22 km) nga brigjet e Normandisë, pranë gjirit të Senës.
Peshkarexhat britanike kanë të drejtë të ligjshme për të peshkuar në atë zonë, por, prania e tyre ka irrituar ato franceze, që kanë akuzuar britanikët se kanë pakësuar në mënyrë të paturpshme rezervat e peshqve.
Tashmë, peshkatarët britanikë kërkojnë mbrojtjen qeveritare, ndërsa francezët “vajtojnë” humbjen e një burimi parësor.
Rreth 40 anije franceze u mblodhën mesnatën e së hënës në shenjë proteste ndaj të ashtuquajturës “plaçkitje” britanike.
“Francezët kontaktuan britanikët dhe i penguan të punonin, duke u përplasur me njëri-tjetrin”, tha shefi i peshkimit në Normandi, Dimitri Rogoff. “Pati edhe hedhje gurësh, por asnjë nuk u plagos”.
Disa anije u dëmtuan gjatë përleshjeve, teksa në 3 prej tyre pati edhe vrima të shkaktuara, sipas pamjeve të shfaqura nga mediet franceze.
Britanikët nuk mund të ishin të barabartë në numër me “armatën” franceze. Me vetëm 5 anije kundrejt 35 franceze, ata u zmbrapsën. Dy prej anijeve britanike u kthyen në portin Birxham me xhama të thyera.
Ekuipazhet e tyre pretendojnë se u rrethuan, u qëlluan me gurë e copa metalike. Ndërkohë mediet franceze publikuan pamjet video të një anijeje skoceze që ishte përplasur me anije të tjera pranë saj.
Top Channel