Brazili ka dërguar ushtrinë në kufirin me Venezuelën për të “garantuar rendin dhe sigurinë” mes një fluksi të paimagjinueshëm emigrantësh që largohen nga vendi i goditur nga kriza ekonomike.
Presidenti Michel Temer tha gjatë një fjalimi televiziv të së martës se, situata “tragjike” e Venezuelës kërcënonte paqen anembanë Amerikës së Jugut.
Miliona venezuelianë kanë lënë shtëpitë dhe vendin e tyre për shkak të hiperinflacionit dhe mungesës së ushqimeve dhe barnave mjekësore.
Lëvizja e fundit e Brazilit vjen pas një sërë përplasjesh kohët e fundit mes banorëve lokalë të zonave kufitare dhe venezuelianëve që kalonin kufirin.
Presidenti e nënshkroi të martën dekretin, i cili bën të mundur dërgimin e ushtarëve për dy javë përgjatë kufirit dhe rrugëve federale në shtetin verior të Roraimas.
“Problemi i Venezuelës nuk është më një problem politik i brendshëm. Ai është një kërcënim ndaj harmonisë së të gjithë kontinentit”, tha Temer.
Përveçse të garantojnë sigurinë e brazilianëve, detyrë e ushtarëve do të jetë edhe përkujdesja për sigurinë e emigrantëve venezuelianë, theksoi më tej presidenti brazilian.
Ndërkohë, vendi tjetër fqinj, Peruja ka deklaruar emergjencën shëndetësore 60-ditore në dy provinca përgjatë kufirit verior me Venezuelën, pasi autoritetet shëndetësore shprehën shqetësimet e tyre për përhapjen e sëmundjeve nga emigrantët.
Top Channel