Jeta mes librave. Një ditë me punonjëset e Bibliotekës Kombëtare

29/08/2018 15:39

Blerta Serjani është punonjëse në Bibliotekën Kombëtare prej 9 vitesh.

Çdo ditë ajo u shërben me përkushtim qytetarëve që i drejtohen bibliotekës për të shfletuar libra e periodikë të ndryshëm.

“Unë jam diplomuar në degën e Gjuhë-Letërsisë dhe në momentin që m’u dha mundësia, u bëra pjesë e stafit”, shprehet Serjani.

Që të jesh punonjës në një bibliotekë, duhet patjetër që të ndjekësh për dy vite shkollën e Biblioteko-Ekonomisë, e vlefshme për të gjithë punonjësit në çdo bibliotekë të Shqipërisë.

“Menjëherë sapo fillova punën në bibliotekë, nisa të ndiqja edhe leksionet e shkollës së Biblioteko-Ekonomisë”, thotë Serjani.

Por, si mund të marrësh një shërbim pranë Bibliotekës Kombëtare? Fillimisht duhet të jesh anëtar i saj. Pas anëtarësimit, çdokush mund të kërkojë një material të caktuar që biblioteka disponon. Për këtë ka dy mënyra: “Që lexuesi të kërkojë, duhet të paraqitet fizikisht në Bibliotekë. Në momentin që përdoruesi ka hyrë në faqen zyrtare të Bibliotekës, mund të konsultohet me katalogët “online” që kanë ndër të tjera edhe fushat e kërkimit. Mund të kërkohet me titull, me autor dhe me fjalë kyce”.

Pasi kërkon të dhënat, lexuesi plotëson në mënyrë manuale fletë-kërkesën, e dorëzon atë pranë punonjëseve për ta marrë librin e kërkuar, pasi ai të jetë nxjerrë nga fondi, një proces që zakonisht kërkon pak kohë. Për të shmangur pritjen, Biblioteka tashmë ofron edhe shërbimin “online”.

“Në faqen zyrtare të Bibliotekës Kombëtare mjafton të klikojmë tek kërkesa elektronike për koleksionet në format fizik dhe elektronik. Kur lexuesi kërkon një libër në format fizik, do të thotë që ai e merr librin në dorë, ndërkohë që Biblioteka Kombëtare ka edhe botime të tjera, kryesisht para vitit ’44 që janë të formatuara në variant digjital dhe lexuesi mund të bëjë kërkesë edhe për këto formate”, shpjegon Serjani.

Pasi ka kryer këtë proces të thjeshtë nga shtëpia, zyra apo një ambient tjetër ku ka akses në internet, lexuesi paraqitet të nesërmen pranë sportelit për të shfletuar librin fizikisht, ose materialet elektronike në 3 këndet e vëna në dispozicion pranë bibliotekës.

Prej 9 vitesh, Blerta ndjek këtë proces pune pa u lodhur, çdo ditë në shërbim të rreth 1 200 anëtarëve që Biblioteka Kombëtare numëron.

“Unë mendoj se puna me librin është puna më e bukur që mund të bëjë njeriu. Edhe puna me njerëzit, sado e vështirë ka pjesën e saj të sadisfaksionit. Unë jam e kënaqur kur çdo person mbaron punë, e gjen atë çfarë deshi në Bibliotekën Kombëtare”, thotë Blerta Serjani.

Top Channel

DIGITALB DIGITALB - OFERTA