Pakti i ri tregtar SHBA-Meksikë, Kanadaja shqyrton përfshirjen

28/08/2018 10:49

Shtetet e Bashkuara dhe Meksika kanë rënë dakord të riorganizojnë Marrëveshjen për Tregti të Lirë në Amerikën e Veriut, e njohur si NAFTA, në atë që presidenti Donald Trump e quan “një marrëveshje shumë e mirë” për të dyja vendet.

Shefi i Shtëpisë së Bardhë, i cili ka kritikuar vazhdimisht marrëveshjen ekzistuese, njoftoi zhvillimin e ri të hënën. Kanadaja, ndërkohë, vendi tjetër anëtar i NAFTA-s, ende nuk ka konfirmuar miratimin e kushteve të reja, ndërkohë që do të zhvillojë më shumë bisedime gjatë kësaj të marte.

Trump kishte kërcënuar të tërhiqej nga NAFTA, duke shkaktuar kështu një periudhë bisedimesh gati njëvjeçare. Ai kërkoi rinegociimin e marrëveshjes tregtare të vitit 1994, të cilën e fajëson për rënien e vendeve të punës në prodhimtari në SHBA, veçanërisht në industrinë e automjeteve.

Tregjet amerikane të bursave kanë pësuar rritje, ndërsa pesoja meksikane është forcuar ndjeshëm që pas lajmit për marrëveshjen paraprake të së hënës.

Trump njoftoi se Shtetet e Bashkuara dhe Meksika kishin rënë dakord mbi kushtet e reja, që do ta bënin marrëveshjen “shumë herë më të drejtë”. Negociatorët e kanë rishkruar traktatin e NAFTA-s gjatë vitit të fundit, por në 5 javët e kaluara Kanadaja nuk ka qenë pjesë e diskutimeve.

“Na duhet të shohim nëse do ta përfshijmë edhe Kanadanë në këtë pakt, ose të përpiqemi të arrijmë një marrëveshje më vete me Kanadanë”, tha Trump. Ai kërcënoi gjithashtu fqinjin verior me tarifa për makinat dhe tha se dëshironte të hiqte dorë nga emri “NAFTA”, që sipas tij kishte një “konotacion të keq”.

Ndërkohë, kryeministri kanadez Justin Trudeau ka pasur një “bisedë konstruktive” me Trumpin që pas shpalljes së marrëveshjes me Meksikën, sipas asaj që njofton zyra e tij. Ministrja e Jashtme kanadeze, Chrystia Freeland pritet të udhëtojë drejt Uashingtonit për bisedime këtë të martë.

Por përse vjen tani ky zhvillim? Negociatorët thuhet të jenë përpjekur të arrijnë një marrëveshje të re, përpara se presidenti i ri i zgjedhur meksikan, Andres Manuel Lopez Obrador të marrë pushtetin në dhjetor. Ai ka shfaqur ngurrim për të vijuar politikën e Enrique Pena Nietos për hapjen e sektorit energjetik të Meksikës, gjë që do të vështirësonte edhe më shumë negociatat.

Në mënyrë që të arrijë këtë afat, administrata e Trumpit duhet t’i prezantojë Kongresit marrëveshjen e re të paktën 90 ditë përpara, që nënkupton pikërisht të premten e kësaj jave. Por, presidenti i zgjedhur Obrador tha të hënën se marrëveshja dypalëshe me Shtetet e Bashkuara ishte thjesht hapi i parë për një traktat të ri. “Ne jemi të interesuar që ajo të qëndrojë një marrëveshje tripalëshe, – tha ai. – Marrëveshja për tregti të lirë duhet të mbetet ashtu siç është konceptuar fillimisht”.

Top Channel

DIGITALB DIGITALB - OFERTA