Krisja Trump-McCain, as vdekja e senatorit nuk e riparon

27/08/2018 09:03

Përçarja mes presidentit amerikan Donald Trump dhe John McCain mbeti e dukshme edhe gjatë së dielës, teksa homazhe për ish-senatorin e ndjerë vërshuan lumë nga udhëheqës botërorë dhe ish-presidentë amerikanë.

Shtëpia e Bardhë nuk publikoi asnjë deklaratë, ndërkohë që Trumpi e pasoi ngushëllimin e shkurtër në “Twitter” për familjen e McCainit, i nisur mes nxitimit të parë të homazheve të së shtunës, me ankesat e zakonshme mbi hetimin ndaj Rusisë dhe mburrjeve për ekonominë. Më pas vijoi me kursin e golfit…

Dëshira e McCainit, që Trumpit të mos i jepej një ftesë për pjesëmarrje në funeralin e tij e që u bë publik disa muaj më parë, mbeti e pandryshuar derisa tumori në tru i mori jetën ditën e shtunë, në shtëpinë e tij në Arizona ku ishte i rrethuar nga familja.

Ndërkohë, George W. Bushit, i cili e mposhti McCainin për nominimin republikan në vitin 2000; si dhe Barack Obamës, i cili e mposhti bindshëm për Shtëpinë e Bardhë në vitin 2008, iu është kërkuar të mbajnë fjalime gjatë ceremonisë mortore, që do të zhvillohet në Akademinë Detare të Shteteve të Bashkuara, në Maryland.

Në një deklaratë të së shtunës, Obama përshëndeti “besnikërinë e McCainit ndaj diçkaje më të lartë, idealeve për të cilat breza të tërë amerikanësh dhe emigrantësh kanë luftuar, marshuar dhe sakrifikuar”.

Bush lavdëroi një “njeri me bindje të thella” dhe një “shërbyes të publikut sipas traditave më të shkëlqyera të vendit tonë”.

Në një dalje emocionale në shfaqjet televizive të së dielës, Jeff Flake, një tjetër senator nga Arizona dhe kritik i Trumpit, bëri thirrje që trashëgimia e McCainit për “vendosjen e interesave të vendit mbi ato personale” të jetojë gjatë në një Kongres thellësisht të përçarë, në një kohë që është “më shumë se kurrë e rëndësishme”.

Flake, i cili do të tërhiqet nga Senati këtë vit dhe që shihet gjerësisht si një kandidaturë e mundshme për të sfiduar Trumpin brenda Partisë Republikane në zgjedhjet e vitit 2020, ishte i kujdesshëm në përgjigjet e dhëna ndaj pyetjeve mbi presidentin.

Grindja mes McCainit dhe Trumpit ishte tejet e ashpër. Senatori luftoi në Vietnam si pilot i marinës dhe në vitin 1967 u plagos rëndë pasi i rrëzuan avionin. Ai kaloi më shumë se 5 vite si i burgosur lufte në Hanoi, ku u torturua dhe dhunua. Ai refuzoi të lirohej para kohe, në shenjë solidariteti me kolegët e tij dhe për çështje nderi.

Trump, i cili kishte kërkuar 5 herë shtyrje të shërbimit në Vietnam, teksa në një prej rasteve kishte cituar “një gungë” në këmbën e tij, e sulmoi ashpër McCainin gjatë zgjedhjeve të vitit 2016, kur tha gjatë një konference në Iowa se “ai nuk ishte hero i luftës, por u bë hero sepse u kap rob. Ndërsa unë pëlqej njerëzit që nuk kapen rob”.

“Washington Post” raportoi të premten se Trump u ka thënë ndihmësve të tij se nuk tërhiqet nga komentet e tij të së kaluarës.

Top Channel

DIGITALB DIGITALB - OFERTA