U duk që në fillim se sfida që përmbylli javën e dytë të Serisë A, mes Romës dhe Atalantës në “Olimpico” do të ishte spektakolare, pavarësisht se trajneri i bergamaskëve kishte preferuar formacionin e dytë, për t’u kursyer për Europa Leaguen.
Vetëm 70 sekonda dhe Javier Pastore shënon një supergol me thembër, duke shtangur jo vetëm mbrojtësit e Atalantës, por edhe gjithë publikun e zjarrtë verdhekuq.
Gjithsesi me kalimin e minutave Atalanta rritet dhe fillon të shohë nga porta e Olsen, teksa nga minuta e 19, deri në të 38-ën, e dërgon topin 3 herë në rrjetën e portierit suedez të Romës, duke befasuar të gjithë.
Di Francesco e nis pjesën e dytë me dy futbollistë të tjerë, duke hedhur në fushë Kluivert dhe Nzonzi, ndërsa sfida hapet në minutën e 60, pas një goli mjaft të bukur të shënuar nga mbrojtësi i djathtë, Florenzi.
Takimi u bë edhe më dramatik në minutën e 82-të, kur mbrojtësi grek Kostas Manolas barazoi rezultatin në 3-3 dhe sfida deri në fund ishte spektakolare, me aksione të rrezikshme sa në një portë, në tjetrën.
Në fund, të dy skuadrat u kënaqën me nga një pikë, në një sfidë spektakolare, ndërsa vlen të përmendet se mbrojtësi i Kombëtares Shqiptare, Berat Gjimshiti luajti të dytën ndeshje radhazi si titullar.
Top Channel