Dy persona u qëlluan për vdekje nga një agresor në një kompleks argëtimi në Jacksonville të Floridës. Policia e identifikoi vrasësin si David Katz, 24-vjeçar nga Baltimore, i cili vendosi të vetëvritej në vendngjarje.
Rasti, me sa duket ka qenë me vetëm këtë person protagonist dhe askush tjetër nuk është në kërkim. Por, përpara se t’i jepte fund jetës së tij, ai plagosi edhe 11 të tjerë.
Të shtënat ndodhën gjatë një turneu videolojërash që po zhvillohej në Jacksonville Landing, një kompleks gjigant tregtar, argëtues dhe për të ngrënë.
Katz përdori vetëm një pistoletë, thotë policia e bazuar në hetimet e deritanishme. Megjithatë, policia refuzoi të komentonte raportimet e medieve lokale, se të shtënat nisën pasi agresori ishte irrituar me humbjen në turneun e videolojërave.
Florida është bërë skenë e shumë vrasjeve masive gjatë viteve të fundit, përfshi ngjarjen e klubit të natës “Pulse” në Orlando, gjatë vitit 2016, atëherë kur vdiqën plot 49 persona; por edhe të shtënat në shkurt të këtij viti në një shkollë, ku mbetën të vdekur 17 individë.
Mes të mbijetuarve ishte edhe shqiptari Drini Gjoka, një 19-vjeçar pjesëmarrës në turneun e videolojërave, i cili e përshkroi ngjarjen përmes një serie “cicërimash” në “Twitter”, duke e quajtur madje “ditën më të keqe të jetës” së tij.
Viktimat nuk janë identifikuar ende, derisa të informohen fillimisht të afërmit e tyre. Edhe kompania “EA Sports”, e cila organizonte dhe kishte miratuar turneun në fjalë, reagoi duke u shprehur “e tronditur nga kjo ngjarje e tmerrshme”, duke e quajtur “një akt dhune të pakuptueshëm të cilin e dënojmë fuqimisht”.
Top Channel