Zjarrfikësit që u përballën me një zjarr masiv në pyjet afër Berlinit kanë ndaluar përhapjen e tij, por sipas zyrtarëve, rreziku nga flakët nuk ka kaluar ende.
“Situata nuk është qetësuar ende”, tha një zëdhënës i ministrisë së brendshme. Shkaku i zjarreve ka qenë fillimisht i paqartë, por autoritetet njoftuan se të gjitha të dhënat sugjeronin se zjarret mund të kenë qenë të qëllimshme.
Rreth 600 persona braktisën shtëpitë në tre fshatra në Brandenburg, 50 km në jugperëndim të Berlinit, ndërsa zjarrfikësit përballeshin me flakët nga ajri dhe toka.
Era e tymit mbërriti deri në Berlin ndërkohë që më shumë se 400 hektarë pyje u dogjën jashtë qytetit fqinj të Posdamit. Rreth 440 zjarrfikës u angazhuan në luftë me zjarret gjatë fundjavës në një kohë kur ekspertët konfirmuan se nuk parashikoheshin reshje shiu, por erërat e forta mund të rrisnin intensitetin e tyre.
Përpjekjet për vënien nën kontroll të zjarreve ishin të komplikuara pasi terreni i prekur është edhe i mbushur me municione nga Lufta e Dytë Botërore. Situata sipas zyrtarëve ishte dramatike ndërkohë që ka pasur edhe disa shpërthime të vogla të municioneve të varrosura nën tokë.
Një valë thatësire dhe të nxehti ka bërë që zonat rurale evropiane, në veçanti të ekspozohen ndaj zjarreve, që shkaktuan shkatërrim në Greqi dhe Suedi më herët këtë verë.
Top Channel