Skënderbeu triumfon në “tokën” e Kastriotit, shkëlqen Bregu

26/08/2018 18:43

Fitorja ndaj Partizanit nuk ishte rastësi, pasi Skënderbeu mbetet pretendenti kryesor për të fituar sërish titullin kampion, edhe pas largimit të disa titullarëve këtë verë.

Korçarët arritën të fitojnë me rezultatin e pastër 0-3 përballë Kastriotit të sapongjitur në Superiore, në sfidën e luajtur në stadiumin “Redi Maloku” të Fushë Krujës.

Skuadra e drejtuar nga Orges Shehi, mori kontrollin e lojës që në fillim dhe arriti të zhbllokojë sfidën shumë shpejt, kur Demte shfrytëzoi një aksion të bukur të Gripshit dhe Krasniqit, për ta dërguar topin në rrjetën e portës së Klajdi Kukës.

Në minutën e 30′ ishte radha e talentin vlonjat Dejvi Bregu, njëkohësisht edhe afrimi më i bujshëm i merkatos verore te Skënderbeu, që ekzekutoi në mënyrë mjeshtërore një goditje dënimi dhe dyfishon avantazhin.

Kastrioti ndryshoi shumë në pjesën e dytë, duke u hedhur në sulm për të gjetur golin dhe rihapur takimin, por filloi të lërë hapësira pas dhe në një rast të tillë Otto John shërbeu për Bregun, me sulmuesin vlonjat që shënoi edhe golin e tretë.

Me këtë rezultat, Skënderbeu konfirmohet si skuadra për t’u mundur, pasi shkëputet në krye të renditjes me 6 pikë të plota, që në javën e dytë të kampionatit.

Top Channel

DIGITALB DIGITALB - OFERTA