Java e dytë e Kategorisë Superiore do të vijojë sot me dy ndeshjet e fundit, ku në orën 16:45 Skënderbeu do të udhëtojë drejt Fushë Krujës, ku do të ndeshet me krutanët e Kastriotit, ndërsa në mbrëmje, në orën 19:45 do të jetë radha e sfidës së Vlorës, mes Flamurtarit dhe Kukësit.

Skënderbeu vjen pas një fitoreje në minutat e fundit ndaj Partizanit dhe ndaj krutanëve të sapongjitur në Superiore, do të kërkojnë të konfirmohen si pretendentët kryesorë për titullin kampion, pavarësisht problemeve të kaluara gjatë verës dhe largimeve të shumta.

Trajneri Orges Shehi ka një organikë mjaft të mirë në dispozicion, ndonëse ka bërë thirrje për të tjera afrime, pasi kërkon të ketë edhe një stol të kompletuar për të mos e lënë gjithçka në dorë të talenteve të rinj, që kanë ende nevojë për kohë.

Nga ana tjetër, krutanët befasuan në javën e parë Luftëtarin, duke e mposhtur me rezultatin minimal 1-0 në Gjirokastër dhe në këtë javë të dytë, vijnë me besim dhe moral të lartë, ndonëse përballë do të kenë kampionin në fuqi të Kategorisë Superiore.

Mbrëmja pritet të jetë spektakolare, pasi në stadiumin “Flamurtari” do të përballen dy nga skuadrat “e veshura me stofin e pretendentit për titull”, kuqezinjtë vlonjatë dhe verilindorët e Kukësit.

Top Channel

DIGITALB DIGITALB - OFERTA