Cristiano Ronaldo nuk arriti të shënojë as në ndeshjen e dytë zyrtare me Juventus duke i dhënë zë kritikëve të shumtë për blerjen e tij nga skuadra kampione e Italisë.
Statistikat tregojnë arritjet impresionuese të futbollistit luzitan, por të shohësh një Top të Artë ende në kuotën zero, gjithsesi bën vërtet efekt.
Ronaldo mbetet lojtari më i kuotuar i Juventus për t’u shpallur shënuesi më i mirë, dhe e kaluara tregon se portugezi nuk zhgënjen. Sezonin e kaluar duhej pritur ndeshja e tij e katërt për të shënuar, madje ndeshja e 8 në La Liga pasi në 4 të parat Ronaldo ishte pezulluar.
Kështu luzitani nisi ngadalë një garë e cila e çoi në 26 gola në 27 prezenca në Primera Divizion, ndërsa në totalin sezonal shënoi 44 gola në po kaq ndeshje.
Parma dhe Sasuolo, dy kundërshtarët e ardhshëm të kampionëve të Italisë duhet të shqetësohen vërtet se golat e Ronaldos ndoshta janë ruajtur në portat e tyre. Juventus ndërkohë nuk ka gabuar asnjë prej provave, ndërsa pret që në Shtator të nisë Liga e kampioneve, terreni i gjahut i preferuar për Cristiano Ronaldon.
Top Channel