Venezuelë, kriza e emigrantëve po i afrohet asaj të Mesdheut

25/08/2018 08:20

Organizata e Kombeve të Bashkuara kanë paralajmëruar se situata në Venezuelë po i përafrohet së tepërmi krizës së refugjatëve të parë në Mesdhe në vitin 2015, atëherë kur shënoi edhe pikun e saj.

Paralajmërimi vjen teksa disa prej vendeve fqinje në Amerikën e Jugut po përpiqen të ndalin fluksin e venezuelianëve, të cilët po ia mbathin gjithnjë e më të shumtë situatës së tmerrshme ekonomike të vendit.

Nga kjo e shtunë është Peruja që fut në fuqi rregulla më të ashpra kontrolli kufitar, vetëm një ditë pasi një gjykatë rrëzoi përpjekjen e Ekuadorit për të forcuar kontrollet e saj kuftare. Që të dyja këto vende nuk ndajnë kufi të përbashkët me Venezuelën, por me Kolumbinë, e cila po përdoret gjithnjë e më shumë si vendstrehim dhe si tranzit, për të kaluar edhe më në jug të kontinentit, drejt Argjentinës apo Kilit.

Më shumë se dy milionë venezuelianë kanë braktisur vendin e tyre që prej vitit 2014. Ata janë larguar prej krizës më të rëndë ekonomike në vend, që ka shkaktuar deri në mungesa të theksuara të ushqimeve të shportës bazë, të barnave mjekësore, apo produkte të tjera jetike, ndërkohë që të shumtë janë ata që thonë se po largohen nga vendi, pasi nuk mund të marrin përkujdesin mjekësor për të cilin kanë nevojë.

Tashmë, kërcënimi se mund të bllokohen brenda vendit, në skamje e mjerim të plotë, i ka nxitur edhe më shumë venezuelianë që të hedhin sytë nga përtej kufijve, pasi kjo shihet si shpresa e vetme e tyre.

Deri më tani, venezuelianëve iu është lejuar hyrja në Peru vetëm me kartat e tyre të identitetit. Ndërsa nga kjo e shtunë atyre do t’iu kërkohen edhe pasaporta të vlefshme, një masë e ngjashme me atë të Ekuadorit gjatë javës së kaluar. Megjithatë, të premten një gjykatë vendosi se kërkimi i pasaportave të vlefshme ndaj venezuelianëve ishte në shkelje të marrëveshjeve rajonale të lëvizjes së lirë.

Joel Millman, zëdhënës i Organizatës Ndërkombëtare për Emigracionin (IOM) tha se e gjithë kjo situatë, shoqëruar edhe me dhunë në kufirin brazilian, është një kambanë alarmi se rajoni ka nevojë për ndihmë. “Situata po përshkallëzon drejt një krize, të ngjashme me ato që kemi parë edhe në pjesë të tjera të botës, veçanërisht në Mesdhe”, tha ai.

Sekretari i Përgjithshëm i OKB-së, Antonio Guterres pritet të formojë një ekip special të Kombeve të Bashkuara që do të koordinojë përgjigjen rajonale ndaj krizës, ndërsa Ekuadori pritet të jetë vendi organizator i samitit rajonal mes 13 kombeve në shtator.

Top Channel