Superiorja mbyllet të dielën me supersfidën Flamurtari-Kukësi

25/08/2018 12:45

Të dielën kampionati shqiptar do të vijojë me ndeshjet e tjera të javës së dytë. Nesër zbresin në fushë kampionët e Skënderbeut, që do të përballen me të sapongjiturit në Kategorinë Superiore, Kastriotin e Krujës.

“Është një ndeshje e veçantë, për vet faktin se ata janë një skuadër që vijnë nga Kategoria e Parë, duan të bëjnë maksimumin. Janë një skuadër me elementë që duhen pasur në konsideratë, kështu që duhet një vlerësim maksimal nga ne. Ndoshta nuk kanë emrin e Partizanit, me të cilin luajtëm një javë më parë, por do ta vlerësojmë maksimalisht këtë kundërshtar”, u shpreh Orges Shehi, ish-portieri i kthyer në trajner të korçarëve.

Megjithatë, ndeshja më e fortë dhe më e ndezur në letër e së dielës është ajo mes Flamurtarit dhe Kukësit, që do të mbyllë edhe javën e dytë të Superiores. Të dyja këto skuadra kanë marrë nga një barazim në takimet e para, e janë në pritje të fitores së parë të këtij sezoni, gjatë të cilit cilësohen si pretendentë kryesorë për titull.

Lexo edhe:
Superiorja, Kamza kërkon tri pikët edhe me Partizanin

Laçi-Luftëtari dhe Kamza-Partizani janë dy ndeshjet e javës së dytë të Superiores, që luhen këtë të shtunë. Kurbinasit vijnë pas barazimit 1-1 në ndeshjen e parë me Kukësin, duke marrë një pikë në fillim të kampionatit, gjë që nuk e bëri dot Luftëtari, as në shtëpinë e tij, ku përballë kishte një kundërshtar në letër të lehtë, si krutanët e Kastriotit, por që fusha e lojës tregoi tjetër gjë.

Ndërkohë, pa pikë e ka filluar kampionatin edhe Partizani i Skënder Gegës, që u mund nga Skënderbeu në takimin e parë, por në Kamëz kërkon të bëjë më mirë përballë vendasve, që vijnë me euforinë e fitores së parë ku mundën Tiranën. Gjë që e konfirmon edhe trajneri Bledar Devolli.

Të dyja ndeshjet e sotme, Laçi-Luftëtari dhe Kamza-Partizani do të luhen në orën 16:45 dhe do të trasmetohen drejtpërdrejt dhe ekskluzivisht në paketën Supersport.

Top Channel