Prej mëse 8 vitesh në Shqipëri, Xhemal Mustedanagiç ka provuar të jetë pjesë e të gjitha kategorive në kombëtaren shqiptare të futbollit.
I ardhur si zëvendësuesi i trajnerit të ndjerë Josip Kuzhe, më pas arriti të jetë edhe drejtues i ekipit kombëtar për pak kohë, për të kaluar si trajner i ekipit kombëtar U17. Pak ditë më parë, ai u emërua nga komiteti i FSHF-së drejtor i ekipeve kombëtare, një post që ai e ka marrë me synime të qarta.
“Unë vij nga profesioni i trajnerit dhe dëshira ime është që të ndihmoj sa më shumë trajnerët me dijet dhe eksperiencën time. Objektivi kryesor i punës do të jetë zhvillimi sa më i shpejtë i lojtarëve për t’i përgatitur për kombëtaren A. Dhe gjithçka do të nisë nga puna me kampionatin vendas dhe me lojtarët me origjinë nga Shqipëria. Në këtë mënyrë do të kemi më shumë futbollistë shqiptarë që të na përfaqësojnë në kombëtare”, deklaroi Mustendanagiç.
Ndërkohë, një tjetër gjë që i mungon ekipeve kombëtare shqiptare që Mustedanagiç e ka në objektivat primarë është moduli i lojës: “Do të fillojmë bisedimet me trajnerët për të krijuar një modul loje që të luajë ekipi kombëtar A dhe më pas të gjithë të luajnë me të njëjtën skemë. Minimalisht nga U15 deri tek U21 duhet të ketë një model loje”.
Mustedanagiç ka punuar tek Dinamo e Zagrebi për rreth 21 vite me të rinjtë, duke i stërvitur e zbuluar elementët e spikatur. Në këtë periudhë ai ka nxjerrë lojtarë si Luka Modriç, Niko Krajnçar, Vedran Corluka e të tjerë dhe beson që edhe Shqipëria ka potencial.
“Do të krijojmë një databazë për të identifikuar elementët shqiptarë kudo që janë e më pas të punojmë me ta, që të mos na humbasë asnjëri rrugës. Do të komunikojmë me klubet që të stërvisim sa më mirë dhe të punojnë sa më shumë me lojtarët vendas që të jenë pjesë për ekipin kombëtar. Besoj që e ardhmja do të jetë më e mirë duke patur parasysh që çdo ditë e më tepër po vijnë trajnerë të rinj të përgatitur më mirë, me më shumë informacione. Do të përpiqemi të bëjmë një miksim moshash në ekipet kombëtare, pavarësisht se ndonjëri do të jetë në moshë më të vogël mund të luajë me ekipin e një kategorie moshe më sipër, për të promovuar sa më shpejt talente që të arrijnë në ekipin A. Shqipëria ka brumë, por duhet të rritet përgjegjësia dhe puna në të gjitha nivelet, mbi të gjitha mënyra se si punohet”, u shpreh Mustendanagiç.
Top Channel