Rumania njihet si një prej vendeve më të korruptuara në BE. Protestuesit dolën në rrugë, të zemëruar me qeverinë dhe me atë që ata e shohin si një kulturë korrupsioni shtetëror.
Ryshfetet, sekserët dhe abuzimet me fondet publike kanë krijuar përçarje dhe zemërim në të gjithë vendin. Por a mund të luftohet vërtet korrupsioni?
Ndërkohë që protestat arritën një farë suksesi të vogël, një prokurore dhe stafi i saj u vunë kundër sistemit, duke dënuar më shumë se 1000 zyrtarë publikë për korrupsion.
Emri i saj është Laura Kovesi, kryetare e strukturës së posaçme të Anti-Korrupsionit në Rumani.
“Pa pasur pavarësi të plotë, prokurorët nuk hapin dot çështje të suksesshme kundër zyrtarëve më të lartë që kanë lidhje me korrupsionin”, thotë ajo për the Economist.
Gjëja e parë që ka mësuar në luftën kundër korrupsionit shtetëror, është që duhet të përballesh me baltosje.
“Kur je prokuror që lufton korrupsionin e nivelit të lartë, duhet të përgatitesh për hetime të imëta që do të ndërmerren ndaj teje. Mund të ketë media që do të nisin fushata kundër personit tënd, mund të ketë përpjekje për të të trembur”, shton ajo.
Fushata e zonjës Kovesi kundër korrupsionit e trazoi rëndë qeverinë rumune.
Ministri i Drejtësisë në Rumani u shpreh në një konferencë për shtyp se “veprimet e Kovesit gjatë vitit të shkuar vunë në rrezik vetë institucionin që ajo drejton, nëpërmjet një autoritarizmi të tepruar”.
Por Kovesi i quajti këto deklarata si fushata baltosjeje e përpjekje për ta trembur. Ajo tha se përgjigjja më e mirë ndaj tyre është të ndërtosh çështje të forta, të cilat të paraqiten në gjykatë duke arritur dënime kundër zyrtarëve të korruptuar.
Ekipi i Kovesit ka bërë që të dënohen kryetarë bashkish dhe nëntë ministra të qeverisë për korrupsion, si dhe kryetarin e partisë në fuqi për mashtrim me zgjedhjet.
Çështjet e saj kanë çuar në sekuestrimin e pasurive të vëna nëpërmjet korrupsionit, të cilat kapin një vlerë prej 2 miliardë eurosh.
Por cili është çelësi i suksesit të Kovesit? Sipas saj, gjëja kryesore kur nis një çështje, është të përpiqesh të mendosh si një i akuzuar.
“Nuk e ngre dot një çështje të fortë duke u bazuar mbi një provë të vetme, apo me një deklaratë të vetme. Prokurori duhet të përpiqet të mendojë se çfarë mund të thotë i akuzuari, se si mund të përpiqet të mbrohet”, thotë ajo.
Përgjigjja e qeverisë ndaj dënimeve të shumta të Kovesit ishte të zbuste ashpërsinë e dënimeve. Në korrik të vitit 2018, qeveria paraqiti në parlament ligjin që lehtësonte dënimet për zyrtarët e akuzuar për korrupsion. Kjo ngjalli zemërim në popull dhe shkaktoi protesta masive.
Por si të mbrohet pavarësia e gjyqësorit nga politika?
“Pavarësia e prokurorëve duhet të jetë e garantuar me ligj. Kur prokurori nis të hetojë një zyrtar të lartë, ose një person me shumë pasuri, duhet të ketë siguri dhe garanci që nuk do të ndërmerren masa disiplinore për ta penguar, e që nuk do t’i bëhen transferime në institucione të tjera të prokurorisë, në mënyrë që të ndërpresë hetimet”, thotë Kovesi.
Por kjo është më e lehtë të thuhet sesa të bëhet. Në fakt, tri ditë pas intervistës për The Economist, Kovesi u shkarkua nga detyra.
THE ECONOMIST
Top Channel