PSG, Verratti është “zhdukur”. Alarmohet edhe Mancini i Italisë

23/08/2018 21:24

Prania e Marco Verrattit në fushë të ofron garanci për një lojë të bukur, por pikërisht praninë e tij e kemi parë shumë rrallë nga sa mund ta parashikonim deri më tani. Një aktivizim në miqësoren ndaj Atleticos së Madridit, të fituar 3-2 më 30 korrik, si dhe 74 minuta të një niveli të lartë në Superkupën e Francës, të fituar gjithashtu 4-0 përballë Monacos, më 4 gusht janë shumë pak.

Këto dy aktivizime dhanë sinjalin sikur nisja e sezonit të ri të kampionatit francez do ta shihte protagonist mesfushorin italian, por ai nuk është grumbulluar nga trajneri Thomas Tuchel i PSG-së, i cili ndoshta nuk preferon të ndërmarrë risqe me Verrattin, duke qenë se gjatë 3 sezoneve të fundit ai ka munguar në 53 ndeshje gjithsej për shkaqe dëmtimesh, të paktën siç përllogarit francezja “Le Parisien”.

Gjatë këtij viti 2018, Verratti ka zhvilluar vetëm 18 ndeshje, përfshi këtu edhe një me përfaqësuesen axurre të Italisë.

“Nëse nuk do të ishte për ndërhyrjen kirurgjikale, – shpjegon trajneri gjerman, – do ta kisha aktivizuar”.

Verratti u operua më 3 maj të këtij viti dhe, sipas Tuchel, ende nuk e ka marrë veten totalisht, ndaj dhe stërvitet i diferencuar nga pjesa tjetër e grupit. Objektivi i klubit është që ai të rikthehet në formën optimale nga mesi i shtatorit, kur do të luhen edhe sfidat e para europiane. Megjithatë, kjo mund të mos mjaftojë për teknikun e Italisë, Roberto Mancini, i cili përgatitet për impenjimet e ardhshme në Ligën e Kombeve.

Top Channel

DIGITALB DIGITALB - OFERTA