Autoritetet e Bashkimit Europian po përballen me thirrjet për të mbrojtur sundimin e ligjit në Rumani, një javë pasi më shumë se 400 persona mbetën të plagosur nga dhuna policore në protestat masive kundër korrupsionit dhe ndryshimeve në sistemin e drejtësisë.
Të premten e kaluar, 100 mijë demonstrues kryesisht paqësorë dolën në rrugët e qyteteve të ndryshme, por 450 prej tyre u detyruan të kërkonin ndihmën mjekësore, pasi policia përdori atë që presidenti rumun, Klaus Iohannis e dënoi si forcë “e papranueshme”.
Në Rumani janë zhvilluar protesta në mënyrë të rregullt që prej vitit të kaluar, kur Partia Social-Demokratike (PSD) erdhi në pushtet dhe njoftoi ndyrshime të sistemit të drejtësisë dhe Kodit Penal. Ndryshimet u kritikuan ashpër si një hap tejet i madh mbrapa për sundimin e ligjit, që kur Rumania iu bashkua Bashkimit Europian në vitin 2007.
Për të shtuar edhe më tej tensionet e shqetësimet, kreu i Njësisë Antikorrupsion të vendit, Laura Codruța Kövesi, një figurë e respektuar gjerësisht, u shkarkua muajin e kaluar.
Tashmë, bashkëdrejtuesit e grupit të “Të gjelbërve” në Parlamentin Europian i kanë bërë thirrje Komisionit të nisë mekanizmin e tij të sundimit të ligjit, i cili është zbatuar kundër Polonisë dhe është diskutuar edhe për Hungarinë.
“Njerëzit në Rumani po kërkojnë ndihmë nga BE-ja dhe mendoj se ne duhet t’ua japim këtë gjë”, tha Ska Keller, bashkëpresidenti gjerman i grupit të “Të gjelbërve”. Grupi nuk dëshiron të kopjohen të njëjtat veprime ligjore të rënda si ndaj Polonisë, por nxit Komisionin të nisë bisedimet me Bukureshtin mbi ndryshimet në drejtësi dhe drejtimin e palëkundur në luftën antikorrupsion.
Top Channel