Carmelo Anthony është zyrtarisht një lojtar i Houston Rockets. Ish-lojtari i Oklahoma City Thunder ka nënshkruar një kontratë një vjeçare ku do të përfitojë 2.4 milionë dollarë.
Gjithashtu është përfolur shumë për rolin që Melo do të ketë në fushë, nëse ai do ta nisë ndeshjen në pesëshen e parë ose nga stoli, por çdo gjë do të varet nga tranjeri Mike D’Antoni. Vetë D’Antoni kur u pyet nga disa gazetarë lidhur me këtë çështje tha se Anthony është i hapur për të dyja rolet.
Kjo marrëveshje është përfolur se është arritur prej më shumë se 1 muaji, e me shkëmbimin që Thunder bëri me Atlanta Hawks gjithçka dukej e konfirmuar, pasi dhe Hawks e hoqën lojtarin nga skuadra duke i paguar 25 milionë dollarë.
Në 1054 ndeshje të luajtura në karrierë, Melo ka startuar në secilën prej tyre, e për këtë arsye në të shkuarën pati deklaruar se nuk ndihej i sigurt nëse do të mund ta pranonte të futej gjatë ndeshjes.
34-vjeçari po i bashkohet një ekipi si Rockets, të cilët në sezonin e shkuar fituan 65 ndeshje e duke humbur në finalen e konferencës kundrejt kampionëve të Golden State Warriors. Në grup ai do të gjejë MVP e kampionatit 2017-2018 James Harden dhe një nga miqtë e tij më të mirë, organizatorin Chris Paul.
Top Channel