Ai quhet Armand Duplantis dhe është vetëm 18 vjeç. Atleti adoleshent suedez, qysh në këtë moshë ka arritur të shkruajë emrin e tij në librin e artë të Atletikës europiane dhe asaj botërore.
Në kampionatin europian të Atletikës, të zhvilluar në Berlin, Duplantis garoi në disiplinën e kërcimit me shkop, duke fituar medaljen e artë, pasi kaloi lartësinë 6.05 metra, duke lënë pas Timur Morgunov me 6 metra dhe francezin Lavillenie, që e mbylli garimin e tij me 5.95 metra.
Ajo që të bën përshtypje në garimin e këtij atleti është se, të gjitha lartësitë e tentuara i kaloi që në provën e parë, duke të lënë përshtypje se do të thyente rekordin botëror prej 6.16 metrash, që mbahet pikërisht nga Lavillenie.
Por, Duplantis nuk e bëri një tentativë të tillë për momentin. Sigurisht është shumë i ri dhe do të ketë shumë raste të tjera për të tentuar rekordin botëror, kështu që Lavillenisë do t’i duhet të përballet me një konkurrent shumë të fortë.
Top Channel