Dy rivalët në gadishullin Korean kanë njoftuar këtë të hënë se, udhëheqësi i Veriut Kim Jong-un dhe presidenti i Jugut, Moon Jae-in do të takohen në Penian diku nga fundi i shtatorit.
Shtysa për atë që do të jetë edhe samiti i tretë mes dy udhëheqësve koreanë që prej muajit prill, vjen për shkak të shqetësimeve në rritje që rrethojnë ngërçin bërthamor mes Uashingtonit dhe Penianit.
Njoftimi erdhi pas dy orë bisedimesh mes shefave rivalë të Marrëdhënieve ndërkoreane, gjithsesi mbetet ende shumë i cunguar në detaje. Në deklaratën e përbashkët prej vetëm tri fjalish, dy palët nuk kanë përmendur një datë të saktë për samitin, sikurse nuk kanë dhënë detaje sesi do t’i implementojnë marrëveshjet e së kaluarës.
Ri Son Gëon, kreu i agjencisë koreano-veriore që kujdeset për marrëdhëniet ndërkoreane, u tha reporterëve të pranishëm në fund të bisedimeve se, zyrtarët kanë rënë dakord për një datë specifike të samitit në Penian, diku brenda shtatorit, por refuzoi të jepte datën konkrete, duke thënë se donte që “t’i mbante në ankth reporterët”. Më herët, ai i kishte thënë delegacionit koreano-jugor në deklaratat e para se, dy Koretë duhej të ishin mike tejet të ngushta me një lidhje të pazgjidhshme.
Ministri koreano-jugor për Unifikimin pritet të japë më shumë informacione për reporterët në vazhdim të kësaj të hëne. Takimi i zhvilluar në fshatin kufitar të Panmunjomit, të kontrolluar nga Koreja e Veriut, vjen në mesin e kërshërisë së komunitetit ndërkombëtar për të parë nëse Koreja e Veriut do të braktisë realisht ambiciet për armë bërthamore, diçka që zyrtarët sugjeruan se do të ndodhte pas samitit të Kimit me presidentin Donald Trump të qershorit, në Singapor.
Top Channel