Më shumë se 250 persona janë lënduar, 5 prej të cilëve në gjendje kritike, pasi një seksion i një skene të drunjtë u shemb në një festival lokal sportivo-muzikor në Spanjë.
Platforma e ngritur buzë detit ishte tejmbushur me njerëz, që po ndiqnin një koncert të muzikës “rap”, O Marisquino, në qytetin veriperëndimor të Vigos, në rajonin Galicia.
Policia konfirmoi se deri më tani nuk ka asnjë jetë të humbur.
Dëshmitarë nga vendngjarja treguan momentet e panikut që kapluan të pranishmit, shumë prej të cilëve adoleshentë, të cilët ia mbathën në kërkim të një vendi të sigurtë për jetën e tyre. Disa prej tyre ranë në det.
Mjete personale, si telefonat celularë apo çantat e dorës, mbetën të shpërndara në vendin e ngjarjes.
Preocupado por las noticias que llegan acerca del desplome de una parte de la pasarela de madera del Puerto de Vigo. Confiamos en que no se confirme ningún herido grave. Nos acercamos. #Marisquino18 pic.twitter.com/WLCF3aP3aM
— Diego Gago Bugarín (@DiegoGagoB) August 12, 2018
Disa ekipe emergjencash shkuan në ndihmë të të plagosurve, madje u dërguan edhe palombarë për t’u futur në det dhe për të parë se mos ndonjëri kishte ngecur i bllokuar nën strukturën e shembur.
Sipas raportimeve, incidenti ndodhi vetëm pak përpara mesnatës së të dielës dhe të hënës, teksa turma po dëgjonte repistin nga Majorka, Rels B.
Ndërkohë, ministri rajonal i Shëndetësisë tha për një radio lokale se të plagosurit në incident ishin plot 266 vetë. Kryebashkiaku i qytetit, Abel Caballero tha se do të hapej një hetim për të mësuar shkaqet e incidentit.
Ende nuk dihet me saktësi nëse platforma u shemb për shkak të numrit të lartë të njerëzve mbi të, apo sepse struktura në vetvete ishte ngritur pa parametra sigurie, ndërkohë që nuk përjashtohet edhe ndikimi i faktorëve të tjerë.
Top Channel