Britani, rekord negativ për aeroportin më të ngarkuar të Londrës

13/08/2018 10:07

Vonesat në kontrollin e pasaportave, në Aeroportin “Heathrow” të Londrës, i ka lënë pasagjerët në pritje deri në dy orë e gjysmë gjatë muajit të kaluar.

Me përjashtim të vetëm një dite gjatë muajit korrik, kontrollet kufitare nuk arritën t’i përmbaheshin objektivit për një procesim prej 45 minutash apo më pak, në 95% të vizitorëve që vinin nga jashtë Zonës Ekonomike Europiane (EEA).

Kompania “Virgin Atlantic”, e cila hartoi këto të dhëna, thotë se pasagjerët janë ndierë të irrituar për shkak të vonesave të panevojshme dhe të pajustifikueshme.

Qeveria britanike, ndërkohë, ka njoftuar dërgimin e një stafi shtesë prej 200 vetësh në “Heathrow” gjatë muajve të verës.

Sipas statistikave, pritja më e gjatë e emigrantëve për kontrollin e pasaportave u regjistrua më 6 korrik, kur udhëtarëve nga jashtë EEA-së, një zonë e përbërë nga 31 shtete europiane, u është dashur të presin në radhë deri në dy orë e 36 minuta.

Drejtuesi i “Virgin Atlantic”, Craig Kreeger tha se, ndërkohë që është pranuar se mbrojtja dhe siguria janë një prioritet, ekzistojnë vende të tjera europiane që po i menaxhojnë kufijtë e tyre më mirë sesa Mbretëria e Bashkuar.

Sipas tij, “vetëm forcat kufitare” mund të ndërmarrin veprime “për të zgjidhur këtë problem të papranueshëm të vonesave në kontrollin e pasaportave”.

“Në një kohë kur Britania ka nevojë t’i tregojë botës se është e hapur për biznes, qeveria dhe forcat kufitare duhet të ofrojnë një përshtypje të parë pozitive për çdo vizitor, në çdo kohë”, tha ai.

Qytetarë të Bashkimit Europian, të zonës “EEA” dhe Zvicrës mund të përdorin portat elektronike të kontrollit të pasaportave në Aeroportin “Heathrow”, por vizitorëve nga të gjitha vendet e tjera u duhet që të kalojnë përmes pikave të kontrollit të pasaportave nga zyrtarë të policisë kufitare.

John Holland-Kaye, shefi ekzekutiv i operatorit të “Heathrow”-t, ka bërë thirrje në të kaluarën që Ministria e Brendshme (Home Office) t’u lejojë vizitorëve nga “vendet me pak rrezik”, si për shembull Shtetet e Bashkuara, që të kalojnë përmes portave elektronike.

Top Channel

DIGITALB DIGITALB - OFERTA