Në dy ditët e fundit policia ka arrestuar e marrë në pyetje disa gazetarëve në kryeqytetin e Bjellorusisë, Minsk. Ata akuzohen se kanë marrë ilegalisht mijëra lajme nga Agjencia shtetërore e Lajmeve “BelTA”, pa paguar më parë për këtë shërbim.
Hetuesit kanë vënë në shënjestër gjithsej të paktën pesë redaksi të ndryshme dhe punonjës të tyre. Numri i saktë i të kontrolluarve dhe gazetarëve të marrë në pyetje deri tani varion sipas burimeve, disa prej tyre janë lënë të lirë pas marrjes në pyetje.
Sipas të dhënave të Ministrisë së Brendshme bjelloruse të pandehurit gjatë dy viteve të fundit kanë ndërhyrë rreth 15.000 herë në databankën e agjencisë së Lajmeve “BelTA” – pa e paguar aksesin duke vepruar kësisoj ilegalisht.
Drejtoresha e “BelTA”, Irina Akuloviç, në intervistë me një gazetë lokale i theksoi këto akuza. Kemi të bëjmë thjeshtë me “vjedhje”: “Personat e përmendur nuk kanë paguar. Ata kanë përvetësuar informacionet duke krijuar aksesin përmes të dhënave të huaja.” Abonentët e “BelTA” janë ankuar, që ata nuk kanë më akses, tha më tej Akuloviç. Për këtë arsye ne kemi vënë në dijeni autoritetet.
Të martën “BelTA” publikoi edhe telefonata të regjistruara mes redaktoreve të “tut.by”. Në këtë bisedë të regjistruar një redaktore pranon, që “përdor” dhe “vjedh” informacione. Vërtetësia e telefonatës nuk është konfirmuar. Autoritetet hetimore flasin për një “akses të palejuar me qëllim të përfitimit personal”. Nëse gazetarët provohen si fajtorë, ata i kërcënojnë dënimeme deri dy vjet burgim.
Një vjedhje e lajmeve të agjencive nuk ka aspak kuptim, thonë gazetarët e “tut.by” dhe shumë kolegë të tyre nga mediat e tjera. Kjo pasi lajmet e “BeITA” janë të bllokuara me pagesë vetëm në 15 minutat e para, më pas kushdo mund të ketë akses tek to. Po ashtu një akses primar për një redaksi të tërë kushton rreth 300 Euro në muaj, ndaj nuk ka arsye që të krijosh akses ilegal, deklaron themelusi i “tut.by” Juri Zisser për gazetën “Meduza.io”.
Top Channel