Gjithnjë e më shumë nxënës europianë po mësojnë gjuhë të dyta në shkolla, krahasuar me homologët e tyre amerikanë.
Sipas një studimi të ri të Qendrës së Studimeve “Pew”, një mesatare prej 92 për qind nxënësish të shkollave fillore dhe të mesme mësojnë një gjuhë të huaj në shkollë, krahasuar me vetëm 20 për qind në Shtetet e Bashkuara.
Shkak është sistemi europian i shkollimit, ku pjesës më të madhe të nxënësve në kontinent u kërkohet të mësojnë të paktën një gjuhë të huaj në shkollë para se të përfundojnë arsimin e mesëm, ndërsa në SHBA ky detyrim është thuajse inekzistent.
Nga 29 vende europiane të marra në konsideratë nga studiuesit, 24 kanë një shkallë mësimi të gjuhëve të huaja prej të paktën 80 për qind. Vendet me një detyrim të plotë, 100 për qind, janë Lihtenshtajni, Luksemburgu, Malta, Norvegjia, Austria, Rumania dhe Franca. Ndërsa në fund të listës renditen Holanda, Portugalia dhe Belgjika.
Edhe pse Belgjika raporton përqindjen më të ulët të nxënësve, që mësojnë një gjuhë të dytë, 90 për qind e nxënësve të shkollës së mesme e bëjnë këtë. Ndërsa në SHBA, nga 50 shtetet përfshi Distriktin e Kolumbias, vetëm 10 kanë kërkesa për mësimin e një gjuhe të huaj në shkollat e mesme, ndërsa në shtetet e tjera jo.
Ndërkohë, në Britaninë e Madhe, nxënësve iu kërkohet të vazhdojnë të mësojnë më shumë gjuhë, në mënyrë që të mbeten konkurrues në prag të “Brexit”-it.
Top Channel