Nëse të gjitha shtetet e Bashkimit Europian nuk do të bashkëpunojnë për emigracionin, atëherë duhet krijuar një koalicion shtetesh rreth Gjermanisë, Francës dhe Spanjës.
Kështu është shprehur Josep Borrell, në një intervistë për gazetën gjermane “Handelsblatt”. Ministri i Jashtëm spanjoll lëvdoi politikën ndaj refugjatëve të Kancelares gjermane Angela Merkel. Ai përmendi shprehimisht hapjen e kufijve nga Merkeli në vitin 2015.
“Për mua, Kancelarja thjesht shpëtoi nderin e Europës”, tha politikani spanjoll.
Në lidhje me grupin pararojë që synon në BE, Borrell tha se ai duhet të kundërshtojë me zgjidhje konstruktive “politikën e frikës”, të cilën e praktikojnë aktualisht qeveritë populiste të djathta. Në këtë kuadër duhet të ketë edhe nxitje për vendet e origjinës së migrantëve, që t’i ripranojnë ata.
Propozimi i Borrellit është që, për çdo emigrant të riatdhesuar, shtetet europiane mund të pranojnë një emigrant të ligjshëm, të cilin ta kualifikojnë.
Ministri i Jashtëm spanjoll foli për një lloj “Erasmusi europiano-afrikan”, duke iu referuar programit me të njëjtin emër të studentëve. Por, pas kualifikimit, njerëzit duhet të kthehen sërish në shtetin e tyre të origjinës dhe t’ia vënë në dispozicion dijen e tyre ekonomisë vendase.
Një marrëveshje të kësaj natyre, Spanja e ka lidhur me Marokun, e sipas Borrellit nuk ka pasur probleme me riatdhesimet atje. Partitë e mëdha në Spanjë, me përjashtim të “Podemos”, pajtohen në mendimin se numri më i madh i afrikanëve që vjen aktualisht në Spanjë përmes “itinerarit të Magrebit” nuk janë njerëz në hall.
Edhe statistikat e Zyrës së Emigrimit dëshmojnë se, thuajse të gjithë emigrantët e rinj janë nga shtresa e mesme dhe ëndërrojnë për mirëqenie, karriera si muzikantë ose futbollistë. Shumë ekspertë janë të mendimit se ata do të ndodhen në një rrugë pa krye në Europë.
Top Channel