Përdoruesit e internetit duhet të sigurojnë lejen e një fotografi përpara se të publikojnë një foto të tij, edhe në rastet kur ajo është lirisht e gjendshme diku tjetër “online”. Të paktën kështu ka vendosur Gjykata Europiane e Drejtësisë me seli në Luksemburg.
“Publikimi në një faqe interneti i një fotografie që mund të gjendet lirshëm në një faqe tjetër, e cila ka mirëkuptimin e autorit, kërkon një autorizim të ri nga ai autor”, thuhet në deklaratën e gjykatës më të lartë të Bashkimit Europian.
Gjykatës i është kërkuar të marrë vendim mbi një çështje në Gjermani, në të cilën një nxënës gjimnazi kishte shkarkuar dhe përdorur më pas një foto, të cilën e kishte siguruar lirshëm në një faqe udhëtimesh, për një projekt shkollor. Fotoja, sigurisht që ishte publikuar më pas edhe në faqen e internetit të asaj shkolle.
Megjithatë, fotografi që e kishte shkrepur atë foto ishte ankuar se, përdorimi nga shkolla i fotos së tij ishte në shkelje të të drejtave të autorit, sepse ai i kishte dhënë leje për përdorimin e saj vetëm faqes së udhëtimeve, ndaj dhe kërkoi kompensim prej 400 eurosh.
Gjykata e Luksemburgut vendosi në favor të fotografit, duke argumentuar se, bazuar në direktivën e të drejtave të autorit në Bashkimin Europian, shkolla duhej të kishte marrë fillimisht miratimin e tij përpara se ta publikonte foton.
“Gjykata pohon se, në varësi të përjashtimeve dhe kufizimeve të shtruara në atë direktivë, çdo përdorim i një vepre nga një palë e tretë pa pëlqimin paraprak të autorit, duhet të konsiderohet si shkelje e të drejtave të autorit të asaj vepre”.
Gjykata theksoi gjithashtu se “pak rëndësi” ka, nëse mbajtësi i të drejtave të autorit nuk i kufizon “mënyrat sesi fotografia mund të përdoret nga përdoruesit e internetit”.
Top Channel