BE-SHBA, kurs përplasjeje. Mogherini: Injoroni kërcënimin e Trumpit

07/08/2018 19:00

Bashkimi Europian po shkon drejt një kursi përplasjeje me Donald Trumpin, pasi shefja për politikat e jashtme dhe ato të sigurisë, Federica Mogherini u bëri thirrje europianëve që të shtojnë marrëveshjet e tyre të biznesit me Iranin, në një sfidim të hapur të deklaratave “luftënxitëse” nga presidenti amerikan.

Ndërkohë që Trump u zotua të bllokonte ata që tregtonin me Iranin nga tregu amerikan, BE-ja përshkallëzoi përpjekjet për të ruajtur marrëveshjen bërthamore me Iranin, duke inkurajuar kompanitë e vendeve të bllokut të injorojnë paralajmërimet e Shtëpisë së Bardhë.

Federica Mogherini, përfaqësuesja e lartë e BE-së për politikat e jashtme, tha se Brukseli nuk do të lejojë që marrëveshja e vitit 2015 me Teheranin “të vdesë”, teksa nxiti europianët të marrin vet vendimet për investime.

Lexo edhe:
Riktheu sanksionet ndaj Iranit, Trump kërcënon: Biznes me ta, ose me ne!

BE-ja, Kina dhe Rusia mbeten ende firmëtarë të planit gjithëpërfshirës të veprimit (siç quhet ndryshe marrëveshja e 2015-s), sipas së cilës sanksionet ekonomike ndaj Iranit do të hiqeshin në këmbim të kufizimit nga ana e regjimit të ajatollahëve të aspiratave për armë bërthamore.

Trump nuk iu përmbajt marrëveshjes që prej muajit maj, duke e përshkruar atë si “një pakt i tmerrshëm i njëanshëm që nuk duhej të ishte nënshkruar kurrë”.

Përplasja rrezikon destabilizimin e marrëdhënieve transatlantike, vetëm pak javë pasi presidenti i Komisionit Europian, Jean-Claude Juncker, dhe vet Trumpi u angazhuan në kopshtin e trëndafilave të Shtëpisë së Bardhë se do të rrisnin tregtinë pa tarifa mes BE-së dhe SHBA-ve, si dhe për të sheshuar mosmarrëveshjet e kohëve të fundit.

Top Channel

DIGITALB DIGITALB - OFERTA