Instalacioni artistik "Mendoj për ty", nga artistja kosovare, Alketa Mrripa-Xhafa, i krijuar në Prishtinë në nder të viktimave të dhunës seksuale.

Kur nisi lufta në Kosovë, Feride Rushiti ishte duke studiuar për mjekësi te Universiteti i Tiranës. Pas u kualifikua, ajo shkoi si vullnetare për të kuruar viktimat civile të konfliktit. Në mars të vitit 1999 ajo udhëtoi në Kukës, në kufirin me Shqipërinë, ku ishin mbledhur me qindra mijëra refugjatë, të cilët po i largoheshin dhunës së spastrimit etnik që kishin nisur forcat serbe. Ishte eksodi më i madh që kishte parë Europa, që nga Lufta e Dytë botërore. Një përvojë dëshpëruese, pështjelluese e tepër e dhimbshme, siç thotë ajo.  

Rushiti, duke qenë vetë një shqiptare nga Gjilani, punonte me agjencinë e fëmijëve të OKB-s gjatë ditës dhe me Mjekët Pa Kufij gjatë natës. Mes rrëmujës së ditëve të para, ajo u takua me një grua, historia e të cilës i ndryshoi jetën asaj e ndoshta qindra e mijëra grave të tjera.

Gruaja sapo kishte dështuar. “Nuk kishte mundësi ta varoste fëmijën. Ishte e vështirë, sepse s’dija si ta ngushëlloja. E pyeta se ku ishte i shoqi. Më tha që ia kishin marrë. Në atë çast nisa të qaj dhe ajo qau pas meje. Por e qara e saj ishte e paimagjinueshme. Nuk kisha dëgjuar kurrë një tingull të tillë. Ndërkohë përpiqesha të mbyllja tendën, sepse jashtë kishte njerëz. Atë e kishin përdhunuar.”

Feride Rushiti, Kosovë, Drejtoreshë e Qendrës për Rehabilitimin e Viktimave të Torturës

Rushit ishte 28 vjeçe në atë kohë. Në vitet 1990 ajo kishte studiuar mjekësi fshehurazi në Kosovë, ndërkohë që “aparteidi” serb mbyllte shkollat dhe institucionet e tjera për shqiptarët etnikë. Por në Kukës ajo iu kthye studimeve dhe u përqendrua te viktimat e dhunës seksuale gjatë luftës. “Gjërat që po shihja, historitë që po dëgjoja… s’ma merrte mendja se qeniet njerëzore mund të arrinin të bënin gjëra të tilla. E dija që duhej të mendoja përtej profesionit tim, si mjeke. Duhej të isha edhe zëri i tyre.” Nuk u trondit vetëm nga trauma psikologjike, por Kosova ka shoqëri shumë patriarkale dhe përdhunimi shihej shpesh si një njollë për nderin e familjes, ndaj gratë i prisnin stigmatizime e fajësime të shumta.

Pas marrëveshjes së paqes të vitit 1999, Rushiti themeloi Qendrën e Rehabilitimit për Viktimat e Torturave. Pas një viti, Human Rights Watch e përshkroi përdorimin e dhunës nga policia serbe dhe ushtarakët e Sllobodan Milosheviçit si një mjet për pastrim etnik, mënyrë për të poshtëruar e terrorizuar shqiptarët etnikë. Disa prej të mbijetuarave ishin refuzuar nga bashkëshortët, ose ishin izoluar e ishin detyruar nga familjarët që të mos flisnin. Mendohet se janë përdhunuar rreth 20,000 gra gjatë luftës.

Asnjeri nuk donte të fliste për të, sipas Rushitit. “Shkoja i takoja në komunitete, por të gjithë thoshin që atje nuk ishte përdhunuar njeri. Rrezikonin shumë, sepse burrat s’donin që gratë e vajzat e tyre të flisnin, për shkak të stigmatizimit. Duhej të pranonin që s’kishin mundur t’i mbronin.”

Rushiti i hapi qendrat në komunitetet më të prekura, për të shëruar plagët psikologjke, dhe puna e saj nuk ishte pa rrezik. Atë e paralajmëruan që të mos hapte një qendër në Skënderaj të Drenicës, një nga zonat më të varfra të Kosovës dhe qendër e UÇK-s. Druanin se mund të kërcënohej ose të rrihej. “Shkoja të kërkoja ndonjë zyrë për ta marrë më qira e më pyesnin se cili ishte shefi im. S’më besohej që po ndodhnin diskriminime të tilla”. Dhuna gjinore mbetet e përhapur, edhe sipas një studimi të fundit.

“Nëse më thotë dikush tani nëse do ta bëja atë punë, do të refuzoja. Nuk i dija rreziqet. Isha e re dhe kisha pasion për punën”, thotë Rushiti. Por gratë nisën të kërkojnë trajtim, dalëngadalë, dhe sot qendra e saj ka më shumë se 400 kliente.

Ky vit ka qenë një arritje e madhe për Rushitin dhe për të mbijetuarit që ajo përfaqëson. Ky grup i lënë mënjanë, shpesh në varfëri, është njohur nga shteti dhe është dëmshpërblyer,  bashkë me veteranët dhe viktimat e luftës. Në shkurt të këtij viti, viktimat e verifikuara kanë marrë pensione të përmuajshme. Pas kësaj, shumë gra të tjera kanë gjetur guximin të flasin.

Kur fola me të, te qendra e KRCT-s, në Prishtinë, Rushiti dukej shumë e qetë, e buzëqeshur, teksa kujton ditët e para të punës. Zyra në kat të parë, me pamje nga parku i qytetit, është dizenjuar me idenë e të qenit diçka konfidenciale. Por në zona të tjera, si te ballkoni ku dalin për cigare, klientet dhe anëtarët e stafit përshëndeten dhe i buzëqeshin njëra-tjetrës. Disa prej klienteve thonë që janë më të lumtura këtu se në shtëpi.

Rushiti duhet të jetë ende e fortë. Kur dëgjoi se pensioni i caktuar për viktimat e dhunës seksuale kishte qenë 200 euro në muaj, ajo kishte shkuar te zyra e ministrit të financave dhe i kishte thënë që nuk mjaftonte. Meqë nuk i dëmshpërblenin dot moralisht, ajo kishte kërkuar që dëmshpërblimi financiar të ishte më i lartë. Të nesërmen, pensioni u rrit në 230 euro në muaj, që është pothuajse sa 90% e një rroge normale për gratë në Kosovë.

Rushiti me Melania Trump, në Departamentin Amerikan të Shtetit, Njohja për Gratë Guximtare

Rushiti ka një foto me Melania Trump në zyrë, të bërë këtë vit te Departamenti Amerikan i Shtetit, gjatë çmimeve të dhëna për Gratë e Guximshme. Rushitit iu njoh mbrojtja e viktimave, që e bëri qeverinë të njohë pension e grave. Ajo beson se pensioni do të ndihmojë të hiqet stigma,  dhe në një shtet ku papunësia mes femrave është 57%, mund të shërbejë edhe për t’i fuqizuar gratë. “U jep status, një zë të fortë në familje e komunitete. Jo vetëm atyre, por edhe fëmijëve.”

Ajo beson se duhet bërë më shumë, sidomos porsa i përket drejtësisë. Deri tani janë sjellë para drejtësisë vetëm pak dhunues, dhe sistemi i drejtësisë është qortuar nga Amnesty International për këtë dështim.

Janë rreth katër organizata për gratë, të autorizuara nga qeveria kosovare, për të ndihmuar rreth 1200 të mbijetuara që kanë aplikuar për pension. Megjithatë, vetëm shtatë persona janë gjykuar për përdhunim. Në tre raste që kanë kaluar në gjyqet kosovare, viktimat janë nxjerrë të pafajshëm.

Edhe pse shoqatat si ajo e Rushitit kanë ndihmuar që të thyhet heshtja e dhunës seksuale, një e mbijetuar nuk kishte folur publikisht, të paktën deri vitin e shkuar. Vasfije Krasniqi, një kosovare që jeton në Dallas, Teksas, postoi një letër të hapur në Facebook, të drejtuar burrit që e mori peng dhe e përdhunoi.

Krasniqi ishte marrë me armë nga shtëpia e saj, më 13 Prill të vitit 1999, nga një person me uniformë. Ajo kujton se si i përgjërohej që ta vriste, më mirë. “Isha 16 vjeçe. Ende nuk e kisha përjetuar jetën. Isha e pafajshme. Më more rininë dhe ma vodhe sa hap e mbyll sytë.”

Pasi foli për herë të parë me një gazetare, Krasniqi, tani 36 vjeçe, më thotë në Skype se letrën e shkroi që t’i jepte guxim të tjerave. “Nuk kam turp dhe nuk kam frikë. Do të bëj pjesën time. Të gjithë e dinë që më morën policët serbë, dhe e dinë që një 16 vjeçare nuk merret për të dhënë deklarata.”

Ajo u largua nga Kosova në vitin 2001, dy vite pas luftës. Tani është e martuar dhe e lumtur, me dy vajza, njërën 17 e njërën 11 vjeçe. “Nuk rrija dot në Kosovë”, thotë ajo. “Ju keni qenë atje dhe e dini se si na bëjnë të ndihemi në faj. Miqtë e familjarët e mi e dinin historinë time. Unë doja që ta dinte gjithë bota. Doja të ndihmoja vajzat e tjera të flisnin. Kam marrë shumë mesazhe nga gra shqiptare, pas atij postimi.”

Vasfije Krasniqi

Krasniqi tregon shqiponjën shqiptare që ka bërë tatuazh, me mesazhet e dedikuara dy vajzave: “Ti je drita ime.”

Ndryshe nga shumica e viktimave, Krasniqi e ka përjetuar efektin e fuqishëm të drejtësisë. Në Maj të vitit 2014 ajo mësoi se rrëmbyesi dhe një person tjetër që e kishte përdhunuar ishin dënuar për krime lufte nga një gjykatë e Mitrovicës dhe ishin dënuar me 12 vite burg.

“Pas lindjes së vajzave, ishte gjëja e dytë më e lumtur e jetës”, thotë ajo. “Ishte një hakmarrje që më lehtësoi barrën e vuajtjeve”, thotë ajo dhe fshin lotët nga sytë. Buzëqesh, por zëri i dridhet. Por shija e fitores kishte qenë jetëshkurtër. Dhunuesit kishin apeluar në gjykatë dhe vendimi ishte rrëzuar.

Që pas postimit në Facebook, Krasniqi është bërë ambasadore për të mbijetuarit e luftërave të tjera. Muajin e shkuar ajo foli me gra nga Iraku dhe nga Kongoja, gjatë një takimi të OKB-s në Gjenevë. Do të udhëtojë edhe në Korenë e Jugut, ku do të flasë me gra që janë përdhunuar nga ushtarët japonezë gjatë Luftës së Dytë Botërore. “Ishte shumë emocionuese”, thotë ajo për udhëtimin në Gjenevë. “Vinim nga kultura e fe të ndryshme, por kishim të gjitha të njëjtat histori stigme e faji.”

Atifete Jahjaga, presidentja e Kosovës nga viti 2011 deri në vitin 2016, mban mend një debat të ashpër në parlament, në vitin 2013. “Po shihja TV nga zyra”, thotë ajo, duke shpjeguar se presidentes i lejohet të shkojë në parlament vetëm një herë në vit, nëse nuk është e ftuar. Politikanët debatonin nëse përkufizimi i veteranëve të luftës duhej të përfshinte edhe të mbijetuarat e dhunës seksuale.  Ligjvënësit sugjeronin se u duheshin bërë teste gjinekologjike, një masë që përhapi zemërim mes aktivistëve. “E fika TV dhe u thashë anëtarëve të stafit që të përgatiteshin, sepse presidenca dhe institucionet e tjera të vendit do të shkonin në një luftë të hapur për këtë çështje, luftë që do të bëhej në publik.”

Kosova ka demokraci parlamentare, ndaj presidentët kanë rol shumë të kufizuar. Por Jahjaga, e cila kishte qenë më parë zv/drejtoreshë e policisë, e përdori platformën e saj që të ndihmonte projektin e kompensimit. Një vit më parë, në vitin 2012, ajo kishte organizuar një samit ndërkombëtar që afirmoi të drejtat e grave në pjesëmarrjen politike dhe ekonomike, si dhe në sistemet e sigurisë e të drejtësisë. Mes përparësive ishte njohja e viktimave të dhunës seksuale.

“Nuk doja që të ishte tabu. U thashë njerëzve që t’i mendonin sikur të ishin nënat, motrat e vajzat e tyre. Është detyrim i shtetit t’i trajtojë me barazi burrat e gratë që kanë vuajtur për lirinë dhe pavarësinë e vendit. E njohëm vuajtjen e veteranëve, heronjve të luftës , por në një vend që ka pasur shumë fushëbeteja, edhe trupat e këtyre grave u kthyen në fushëbeteja nga paraushtarakët serbë. Edhe ato gra janë heroinat tona”, thotë ajo.

Fustanet e dhuruara nga të mbijetuarat varen në tela rrobash, një mënyrë e fuqishme që përkujton luftën

Atifete Jahjaga, ish presidente e Kosovës

Jahjaga nuk kishte fuqi ekzekutive për të detyruar ligjin e ri, ndaj gjeti një zgjidhje për ta ndryshuar. Në mars të vitit 2014, ajo krijoi dhe drejtoi këshillin kombëtar për të mbijetuarit e dhunës seksuale, duke  bashkuar Hashim Thacin, në atë kohë kryeministër, kryetarin e parlamentit dhe ministrat e drejtësisë e të mirëqenies sociale, si dhe diplomatë të huaj.

Ishte një ndërhyrje thelbësore, sepse një muaj më vonë, parlamenti i Kosovës miratoi një ligj që njihte viktimat e dhunës seksuale si viktima lufte. “Ajo që është arritur që nga viti 2012 është një mrekulli”, thotë presidentja, duke falënderuar KRCT dhe organizata të tjera që ngritën themelet. “Jam shumë mirënjohëse, sepse kanë vepruar pa mbështetje institucionale”.

Një tjetër pikë ndryshimi ndodhi në vitin 2015, kur artistja Alketa Xhafa Mripa zbuloi instilacionin “Mendoj Për ty”, në stadiumin e futbollit të Prishtinës. Jahjaga, këshilli i të cilës sponsorizoi veprën e  artit, e përshkruan atë çast si të ngjashëm me #MeToo, pasi doli në titujt e gazeave në vende të ndryshme të botës. Me mijëra fustane të dhuruar nga të mbijetuarat u vunë në tela rrobash, një përkujtim i fuqishëm i luftës, si dhe një simbolizëm i largimit të stigmës.

Alketa Xhafa Mripa, artiste konceptuale dhe aktiviste nga Kosova

Tashmë 37 vjeçe, Xhafa Mripa iku nga Kosova në vitin 1997, për të studiuar Arte të Bukura në Sent Martin të Londrës bashkë me katër fëmijët e saj. Ajo mban mend që ka dëgjuar për përdhunimin në kohën e luftës pas konfliktit, por pastaj kishte qenë një temë e harruar.

Vite më pas, teksa vizitonte familjen në Kosovë, ajo ishte befasuar nga një intervistë me një grua që fliste për luftën. Fytyrën e kishte të fshehur. Ajo fliste për heshtjen që rrethonte dhunën seksuale të luftës. “Mendova se si nuk kishim arritur të mbronim njerëzit më të brishtë në shoqëri. Ato e kanë përjetuar luftën dyfish dhe kanë vuajtur më shumë. Kur gjithë të tjerët ishin çliruar e po festonin, zërat e tyre duhej të ishin dëgjuar.”

Xhafa Mripa na tregon nga “Curled Leaf”, një lokal çaji në veri të Londrës, që e menaxhon bashkë me të shoqin, se ajo u kishte kërkuar njerëzve të sillnin ndonjë fund ose fustan. “Nuk duhet të kemi turp si shoqëri. Mora shumë mesazhe pozitive nga të mbijetuarat.”

Çfarë mban mend ajo kur mendon për Kosovën? “Mbaj mend mikpritjen, solidaritetin dhe ngrohtësinë e njerëzve. Kosova është shtëpia ime, ku jam rritur me natyrën. Por ka pasur gjithnjë frikë e shtypje. Njerëzit ishin trembur. Fëmijët e mi kanë opinionet e tyre sot, dhe i shprehin lirshëm. Fëmijëria ime ka qenë e lumtur, por kishim frikë gjithë kohën nga ajo që mund të ndodhte. Ishte si të ishe nën pushtim. Çdo ditë ishte e frikshme”, thotë ajo.

“Për Kosovën ka shpresa. Sigurisht, ka korrupsion dhe gjëra të tjera. Por vendi po ecën në drejtimin e duhur. Deri  tani kanë aplikuar 500 veta për pension, një përqindje e vogël mendohet se mund të pranohen”.

Kur e pyes nëse 20 vite kanë qenë një pritje e gjatë, Jahjaga pohon me kokë. Ajo do që njohja e këtyre grave të jetë më e gjerë, dhe që Serbia të kërkojë falje për krimet e luftës. “Lufta nuk ka mbaruar ende për ato gra.”

Karen McVeigh, The Guardian

Top Channel

DIGITALB DIGITALB - OFERTA