PSG-Neymar, bilanc mahnitës një vit pas goditjes që tronditi futbollin

03/08/2018 12:48

Data 3 gusht 2017 do të ishte si një tërmet i vërtetë për futbollin. Pas një periudhe të gjatë “tërhiq e mos këput”, Neymar do të zgjidhte të divorcohej në mënyrë të befasishme nga Barcelona, për të përqafuar kauzën miliardere të Paris SG.

Ai ishte një transferim tronditës, që ndryshoi në mënyrë drastike ekuilibrat e botës së futbollit. Askush nuk e kishte imagjinuar ndonjëherë se, Nasser Al-Khelaifi, sheiku në pronësi të klubit francez, do të mund të derdhte plot 222 milionë euro, ekskluzivisht për kartonin e brazilianit të lindur në vitin 1992.

Në fakt, ajo që u duk thjesht një thashethem merkatoje verore, u bë realitet. “O’Ney” do të bëhej ylli më i ri i korridorit parizien.

Plot një vit më pas, bilanci është kontrastues. Në fushë nuk janë parë ato që priteshin nga drejtuesit apo tifozët. Palmaresi i PSG-së është pasuruar vetëm me trofe kombëtarë, por Champions League, objektivi real i Al-Khelaifit mbetet një tabu, pavarësisht se në ekip ka një “motor” më shumë se Neymar.

Gjithsesi, sheiku mund të buzëqeshë për arsye të tjera, lidhur me goditjen e verës së kaluar. Sipas “Le Parisien”, investimi ka rezultuar të jetë një sukses i jashtëzakonshëm sa i përket marketingut dhe sponsorëve.

Në momentin kur supertalenti brazilian do të zbarkonte në Paris shpërtheu një festë e jashtëzakonshme, apo thënë ndryshe “O’Ney-mania”.

Fanellat dhe sendet e tjera të stampuara me emrin e kampionit të “Selecao”-s panë një rekord të paimagjinueshëm shitjesh, aq sa të ardhurat e PSG-së do të rriteshin me 78 për qind. Edhe kundërpërgjigjja e tifozëve francezë ishte pozitive. Stadiumi “Parc des Princes” regjistroi një rekord ezaurimi total përgjatë të gjithë sezonit.

Neymar u bë “karremi” i duhur edhe për sponsorët e rinj: Renault dhe Unibet lidhën marrëveshje me klubin transalpin, por i frytshëm ishte rinovimi prej 25 milionë eurosh në vit me “Fly Emirates”.

Ndaj, sot një vit më pas, investimi prej 562 milionë eurosh në total duket të jetë një sipërmarrje fitimtare. Rritja e PSG-së kaloi sigurisht edhe përmes rrezikut të përllogaritur të një goditjeje të tillë.

Megjithatë, lajmet e mira për Parisin duket se nuk do të mbyllen këtu. Edhe vlera e yllit francez, Kylian Mbappe po rritet me ritme të jashtëzakonshme, kjo edhe për shkak të fitores së trofeut të Kupës së Botës në Rusi si protagonist. 180 milionë eurot e shpenzuara për të mund të sjellin shumë shpejt frytet e veta.

Top Channel

DIGITALB DIGITALB - OFERTA