Konkurrenca turko-afrikane, hotelet në Spanjë ulin çmimet

03/08/2018 09:54

Hotelet në Spanjë kanë ofruar ulje çmimesh për paketat e pushimeve verore, pas largimit të turistëve për shkak të joshjes nga destinacione më të lira në Turqi apo në resortet e Afrikës së Veriut, ndërsa numri i vizitorëve të huaj në vendin iberik po kap sërish majat.

Turizmi përllogaritet të kontribuojë me 11 për qind të prodhimit kombëtar në Spanjë, ndërsa numri i vizitorëve të huaj është rritur në 82 milionë gjatë vitit të kaluar, duke e bërë Spanjën vendin e dytë më të vizituar të botës, pas Francës.

Hotelet në Spanjë kanë arkëtuar shuma të majme për shkak të popullaritetit të vendit si një destinacion i mrekullueshëm për turistët, pasi rritën çmimet mesatarisht 21.4 për qind gjatë periudhës 2013-2017, sipas statistikave zyrtare.

Por, tashmë, rivalë të Mesdheut si Turqia, Tunizia apo Egjipti kanë përjetuar një ringritje të numrit të turistëve, duke rigjallëruar kërkesat për këto destinacione, pas rënies që pësuan për shkak të sulmeve xhihadiste apo përpjekjes për grusht shteti.

Këtë sezon veror, spanjollët kanë konkurruar për më shumë turistë gjermanë e britanikë, duke ofruar paketa të lira dhe “all-inclusive”, thonë hotelierët nga vendi iberik.

“Përgjithësisht kemi pasur më pak kërkesa këtë verë, kryesisht për shkak të rikthimit të konkurrencës prej Turqisë, Egjiptit dhe Tunizisë, të cilat po ofrojnë paketa më të lira sesa ishujt Balearic”, thotë një përfaqësues i një hoteli spanjoll.

Hotelet e çmimeve të konsideruara “të mesme” në ishujt Balearic, me resortet më të preferuara në Mesdhe, kanë vuajtur më shumë sesa hotelet luksoze, ndaj janë detyruar të ulin çmimet me rreth 15% për disa raste, për të stimuluar rritjen e kërkesës.

Top Channel

DIGITALB DIGITALB - OFERTA