SHBA-të kanë një marrëdhënie të gjatë e patologjike me armët. Por vendet e tjera duhet të përballen me pasojat. Ky është rezultati i logjikshëm i një vendimi të Departamentit të Shtetit, që vendosi të kundërshtojë kërkesat e një të riu libertarian që mendon se çdo njeri në botë duhet të ketë mundësinë të prodhojë e të përdorë armë pa kontrolle nga qeveria.

Si shumë libertarianë të tjerë, Kodi Uilson beson se ndryshimet teknologjike mund të përdoren për të vënë në zbatim pikëpamjet e tij politike. Në këtë rast është teknologjia e printimeve 3D, që lejon të printohet në material plastike çdo gjë që mund të modelohet me kompjuter, duke përdorur makineri me çmim relativisht të lirë.

Kompania e z.Uilson shet printera 3D dhe programin kompjuterik për t’i kontrolluar e ofron falas. Bashkë me programin, ata japin udhëzimet për të krijuar armën vrastare. Deri në qershor, Departamenti i Shtetit po përpiqej të mos i lejonte t’i shpërndanin materialet e programit, duke këmbëngulur se shkelnin rregullat e eksportit të armëve.

Kjo çështje ka vazhduar që në vitin 2013, në fakt, kur z.Uilson vendosi udhëzimet e para në internet që të mësonin se si mund të ndërtoje një armë që nuk do të kapej as nga pajisjet që dallojnë metalet. Dhe për shkak të mungesës së numrit të serisë, arma s’do të lidhej dot me përdoruesin.

Kodi Uilson shet printera 3D dhe ka krijuar disa skica armësh. Ai do që t’i shpërndajë si informacion, bazuar në ligjin e të drejtës së informacionit.

Ata u bllokuan brenda një jave, pas ndërhyrjes së Departamentit të Shtetit. Tani që Departamenti i Shtetit u dorëzua dhe pagoi disa nga kostot ligjore të z.Uilson, e vetmja pengesë ndaj planeve të kompanisë është një padi e ngritur nga tetë shtete amerikane. Këtë të martë, një gjykatës vendosi të bllokonte shpërndarjen e udhëzimeve për printimin e armëve 3D.

Në një farë mënyre kjo përpjekje është sa për të thënë, sepse programi mund të shkarkohet nga kushdo që bën një kërkim në internet. Ka qenë aty prej vitesh tashmë, dhe të gjithë dinë të kërkojnë në internet. Por janë shkarkuar vetëm pak mijëra kopje, ndoshta sepse këto armë, sado vrastare, nuk vrasin dot pa municione, të cilat nuk blihen lehtë në vendet e zhvilluara.

Z.Uillson argumenton se programi i tij mbrohet nga amendamenti i parë i Kushtetutës së SHBA-ve, për të drejtën për t’u informuar. Një argument i ngjashëm u paraqit (dhe u fitua) në vitin 1990 nga Fil Zimerman, autori i një programi kriptografik, i quajtur PGP, të cilin qeveria amerikane donte ta bllokonte ngaqë i bënte punë terroristëve. Sot, Zimerman është kundër armëve që mund të printohen në shtëpi.

Të dyja rastet mund të krahasohen, edhe pse kriptimi i programeve (sistemi i sigurisë së fjalëkalimeve dhe hyrjes në një program) tani është baza e blerjeve në internet, që zë një pjesë të madhe të ekonomisë moderne. Dhe programi i Zimermanit është i vështirë për t’u përdorur, ndaj nuk ka fituar popullaritet, përveçse midis një rrethi të vogël dashamirësish të kësaj teknologjie. Por më vonë u soll në tregun e gjerë, në mënyra të padukshme, nga aplikacione si Whatsapp, që e bënë programin e kriptimit prapë të famshëm.

E njëjta gjë mund të ndodhë me z.Uilson. Ai mund të vazhdojë përpjekjet, derisa dikush tjetër të gjejë një mënyrë të re që armët të prodhohen në shtëpi, bashkë me municionet. Në një vend që ka 10,000 vrasje me armë zjarri në vit, është mjaft e lehtë të gjesh armë të ligjshme, edhe sikur autoritetet në SHBA të nisin të shqetësohen për armët që nuk u dihet pronari.

Megjithatë, çështja përfshin probleme më të mëdha. Teknologjia e printimit 3D ka shumë dobi. Po përdoret që tani në operime, në inxhinieri, dhe për prodhimin e protezave të gjymtyrëve për fëmijët, me çmim të lirë. Në të ardhmen, kërkuesit shpresojnë të arrijnë të printojnë edhe lëkurë njeriu, deri dhe organe, e të zëvendësojnë kockat e thyera me kopje identike. Prandaj, teknologjia nuk duhet bllokuar, gjë që në fakt as nuk është e mundur. Por gjithsesi, duhet mbajtur nën kontroll, si çdo gjë tjetër. Argumenti se çdo kod kompjuterik duhet të mbrohet nga Amendamenti i Parë i Kushtetutës mund ta bëjë të pamundur vendosjen e një rregulli në internet.

Megjithatë, armët e z.Uilson nuk janë dhe aq të rrezikshme, jo vetëm për faktin që nuk arrijnë t’i shpërthejnë gjithnjë plumbat, por sepse janë prej plastike. Ideja libertariane është që të drejtat e individit duhet të kenë përparësi ndaj çdo kontrolli qeveritar, gjë që i bën armët amerikane shumë të rrezikshme. Liria e vërtetë nuk varet nëse e ke apo jo mundësinë për të vrarë bashkëqytetarët.

Bordi Editorial i The Guardian

FOTO GALERI
1/7
Modelet 3D të armëve mund të shkarkohen nga interneti e të futen në kompjuter si skica.

Top Channel

DIGITALB DIGITALB - OFERTA