Pas Kukësit i vjen radha Laçit të zbresë në fushën e lojës në kompeticionet europiane.

Skuadra kurbinase do të luajë këtë të enjte në orën 17:00, në fushën e saj, ndeshjen e kthimit të raundit të dytë kualifikues të Europa League, ndaj norvegjezëve të Moldes, ku do të kërkojë të bëjë mrekullinë dhe të arrijë kualifikimin historik për në raundin e tretë kualifikues të këtij kompeticioni.

Laçi vjen në këtë përballje pas humbjes 3-0 të pësuar një javë më parë, ndaj mundësitë e kurbinasve janë minimale për të siguruar kualifikimin për në raundin tjetër.

Skuadrës së Besnik Prengës do t’i duhet që të fitojë të paktën 3-0 për ta çuar këtë përballje në kohët shtesë. Ndeshja mes Laçit dhe Moldes do të gjykohet nga një katërshe estoneze gjyqtarësh, me arbitër kryesor Kristo Tohver. Skuadra që do të kualifikohet në raundin e tretë do të përballet me fituesin e çiftit Hibernian-Asteras Tripolis.

Ndërkohë, në mbrëmje do të luajë edhe skuadra kosovare Drita, që do të presë skuadrën nga Luksemburgu, Dudelange. Ndeshja e parë ka përfunduar me fitoren 2-1 të Dudelanges, por ky rezultat e mban ende në lojë për kualifikim skuadrën nga Gjilani. Të dyja këto ndeshje do të transmetohen drejtpërdrejt nga Digitalb, nëpërmjet paketës Supersport.

Top Channel

DIGITALB DIGITALB - OFERTA