Energji nga dielli, hapet gara për impiantin më të madh në Akërni të Vlorës

02/08/2018 15:45
Foto ilustruese

Ministria e Energjisë ka hapur tenderin ndërkombëtar për impiantin e parë të madh fotovoltaik, i cili do të ndërtohet në zonën e Akërnisë në Vlorë. Sipas projektit, parku diellor do të ketë një fuqi minimale të instaluar 50 megavat dhe vlerë totale investimi 70 milionë euro.

Përmes njoftimeve në shtypin ndërkombëtar, Ministria u ka bërë thirrje kompanive të interesuara për ndërtimin e impiantit që të paraqesin ofertat brenda datës 17 shtator, kur do të zhvillohet edhe tenderi.

Sipas projektit, parku diellor i Akërnisë do të ndërtohet nga një kompani private, e cila do të ketë të drejtën e shfrytëzimit të tij për 30 vite. Nga këto, qeveria i garanton blerjen e energjisë nga OSHEE për 15 vite, ndërsa për pjesën e mbetur privati do ta shesë energjinë në treg të lirë.

Çmimi me të cilin OSHEE-ja do të blejë energjinë nga parku diellor do të përcaktohet në ankand. Kompanitë që do të ofrojnë çmimin më të ulët marrin më shumë pikë. Po kështu, e njëjta skemë do të aplikohet edhe për kapacitetin. Kompanitë që ofrojnë ndërtimin e parkut me kapacitet me të madh fitojnë më shumë pikë.

Parku i Akërnisë është impianti i parë diellor me kapacitet të madh prodhues. Shumica e lejeve që janë dhënë deri tani kanë qenë për impiante kryesisht të vogla, deri në 2 megavat.

Top Channel

DIGITALB DIGITALB - OFERTA