Pas tragjedisë së tmerrshme në Athinë, kryeministri grek, Aleksis Tsipras merr përgjegjësinë. „Sot duhet të pranojmë me dhimbje, se qeverisim një vend që dominohet nga shkelja e rregullit”, tha ai.
Në një takim krize të kabinetit të qeverisë greke, kryeministri grek, Aleksis Tsipras u shpreh thellësisht i tronditur për viktimat e zjarreve të tmerrshme në djegiet e pyjeve në afërsi të Athinës. Viktimat kanë humbur jetën „në mënyrë të pajustifikuar dhe të pabesueshme”. Tsipras tha para këshillit të ministrave që u transmentua në televizion se “unë marr përgjegjësinë politike për këtë tragjedi”.
Numri i viktimave u rrit të premten në 87 vetë, pasi forcat e shpëtimit gjetën edhe 5 kufoma në Mati, pranë Athinës. Në këtë katastrofë humbën jetën nga zjarret më shumë vetë se kurrë ndonjëherë në Europë në këtë shekull.
Ndërtimet pa leje
Një nga shkaqet për efektin e tmerrshëm të zjarreve ka qenë edhe ndërtimi ilegal i shtëpive, që qeveritë e mëparshme i kanë toleruar, deklaroi kryeministri grek. „Sot duhet të pranojmë me dhimbje, se qeverisim një vend që dominohet nga shkelja e rregullit”. Ai premtoi të gjitha masat e nevojshme për të ndryshuar këtë gjendje dhe për të ndihmuar njerëzit. Ekspertët kishin kritikuar më parë, se planifikimet e pamenduara kanë ndihmuar në përhapjen e flakëve. Ndërtesat janë ngritur shumë pranë pyjeve dhe mungojnë rrugët për automjetet e zjarrfikësve. Ministri i Brendshëm grek, Panos Skourletis u shpreh se zona „duhet të rindërtohet”. „Duhet të hapen rrugët, të hapet mundësia për të shkuar në det.”
Ndërsa kryebashkiaku, Evangelos Bournos tha se forcat e shpëtimit kishin bllokuar edhe ato pak rrugëdalje, duke i penguar pa dashur banorët e prekur që të largoheshin. “Të gjithë kemi përgjegjësi, qeveria, forcat e shpëtimit, qytetarët.” Opozita greke e kritikoi qeverinë pas përfundimit të zisë shtetërore. Nea Demokratia u shpreh, se nuk ka dëgjuar asnjë lutje për falje nga qeveria. Qeveria nuk ia doli të mbrojë jetët e njerëzve dhe pronën e tyre.
Top Channel