Luis Felipe Scolari rikthehet në pankinë pas një viti pushim.
Trajneri brazilian, i cili në vitin 2017 u largua nga Guangzhou, do të marrë drejtimin Palmeirasit në kampionatin brazilian të futbollit, me të cilin ka nënshklruar një kontratë deri vitin 2020, lajm që ui konfirmua nga vetë klubi brazilian.
Luis Felipe Scolari zëvendëson në detyrën e trajnerit të Palmeirasit Rodrigo Machadon, i cili u shkarkua pas humbjes së pësuar ndaj Fluminenses 1-0.
Për të marrë drejtimin e Palmeirasit, Scolari fitoi ndaj kandidaturës së Vanderlei Luxemburgos dhe për të do të jetë hera e tretë që drejton skuadrën e Palmeirasit. Herën e parë ai e drejtoi atë në periudhën 1997-2000, duke fituar Kupën Libertadores, Kupën e Brazilit dhe Kupën Mercosour, që tashmë nuk ekziston më.
Më pas, ai u bë trajner i Palmeirasit në 2010-2012, kur fitoi vetëm Kupën e Brazilit.
Luis Felipe Scolari është trajneri i dytë me më shumë ndeshje në historinë e klubit, me 420 sfida. Në sezonin aktual, Palmeiras është në mesin e tabelës së klasifikimit me 23 pikë.
Top Channel