Shembet diga, qindra të zhdukur e viktima në Laos

24/07/2018 13:49

Qindra persona konsiderohen të zhdukur dhe një numër i paqartë personash kanë vdekur, pasi një digë në ndërtim e sipër në Laosin juglindor u shemb. Incidenti ndodhi në digën hidroenelektrike në provincën Attapeu, çka bëri që gjashtë fshatra përreth të përmbyteshin.

Më shumë se 6600 persona kanë mbetur pa shtëpi sipas zyrtarëve. Pamjet tregonin ndërkohë njerëz të bllokuar në çatitë e shtëpive të zhytura në ujë dhe barka shpëtimi që i nxirrnin ata në vende të sigurta. “Katastrofa i ka marrë jetën disa personave dhe ka bërë që qindra të tjerë të konsiderohen të zhdukur”, shkruan agjencia shtetërore e lajmeve.

Shkaku i shembjes së digës është ende i paqartë. Ndërtimi i saj nisi në 2013 dhe ajo duhet të fillonte të gjeneronte energji këtë vit. Incidenti sidoqoftë, vjen pas shirave të rrëmbyeshëm dhe përmbytjeve në Laosin jugor. Një kompani koreano jugore, me aksione në projekt, tha për agjencinë e lajmeve “Reuters” se po planifikonte të ndihmonte në evakuimin dhe shpëtimin e banorëve në fshatrat afër digës. Kryeministri i Laosit ka shtyrë një mbledhje qeverie dhe ka shkuar të shohë nga afër situatën në zonat e prekura, me zyrtarë të lartë që po monitorojnë përpjekjet e shpëtimit. Autoritetet lokale kanë bërë apel për ndihma për viktimat, përfshirë veshje, ushqim, ujë të pijshëm dhe ilaçe.

Top Channel