Në kuadrin e Trilateralit të Adriatikut, më 20 korrik në Budva, Ministri për Evropën dhe Punët e Jashtme Ditmir Bushati mori pjesë në Takimin e tretë të Ministrave të Punëve të Jashtme të Shqipërisë, Malit të Zi dhe Kroacisë.
Gjatë takimit tre Ministrat e Jashtëm u fokusuan në bilancin e Samitit të NATO-s në Bruksel, Samitit të BE dhe Ballkanit Perëndimor në Londër në kuadrin e Procesit të Berlinit, përmirësimin e ndërlidhjes dhe transportit në rajon, si dhe nxitjes së bashkëpunimit në fushën e turizmit dhe mbrojtjes së ambientit.
Duke vlerësuar Politikën e Dyerve të hapura të NATO-s Ministrat shprehën mbështetjen e plotë për anëtarësimin e Maqedonisë në Aleancë dhe vlerësuan marrëveshjen mes Shkupit dhe Athinës si dhe dialogun Kosovë-Serbi.
Në fjalën e tij Ministri Bushati theksoi rëndësinë e bashkëpunimit mes tre vendeve në proceset e integrimit dhe kthimin e këtij rajoni nga një hapësirë sigurie në një hapësirë zhvillimore.
Top Channel